Ditën e sotme janë luajtur ndeshjet e javës së shtatë të kampionatit kombëtar të volejbollit për femra. Vllaznia ka luajtur në Korçë ndaj Skënderbeut dhe ndonëse pritshmëria ishte për ta fituar këtë ndeshje, nuk ka ndodhur kështu. Vajzat shkodrane janë mundur me rezultatin 3-1 në këtë takim, një humbje kjo që mund të ketë ndikim në ecurinë e mëtejshme të ekipit shkodran në renditje.

Takimi ka qenë shumë I luftuar nga të dy ekipet që dëshironin ta fitonin me çdo kusht atë. Seti I parë është shoqëruar sa me avantazhin e njërës skuadrës ashtu dhe të tjetrës por në fund do të fitonte Skënderbeu në shifrat 26-24. E njëjta gjë edhe në setin e dytë por këtë herë është Vllaznia që do ta fitonte me shifrat 28-26.

Në këtë mënyrë numri I seteve u barazua dhe kjo krijoi përshtypjen se vajzat e drejtuara nga trajneri Kroqi do ta rrisnin lojën e tyre në dy setet e tjera. Porn ë fakt nuk ka ndodhur kështu. Korçaret do ta fitonin pa shumë vështirësi setin e tretë me shifrat 25-17 dhe po ashtu edhe të katërtin 25-20.

Në këtë mënyrë krejt ndeshja do të mbyllej me fitoren 3-1 të Skënderbeut I cili me këtë fitore arrin ta lërë pas në renditje Vllazninë. Për këtë të fundit, ecuria në këtë kampionat nuk ka qenë ajo e pritshmja. Shumica e vajzave që luajnë janë të reja në moshë dhe si të tilla e kanë të vështirë të përballen me ekipet kundërshtare.

Megjithatë shpresat janë që gjërat të ndryshojnë për mirë në ndeshjet e ardhshme teksa në janar mendohet të ketë edhe ndonjë përforcim me lojtare të huaja.
© shkodrasport.com