Skuadra e Vllaznisë në xhudo ka fituar 3 medalje në turneun e zhvilluar në Malin e Zi. Kuqeblutë që janë pjesë edhe e Akademisë “Albania Xhudo kodokan” me qendër në Vau Dejës ka arritur rezultate të larta. Xhudistët kanë përfaqësuar edhe vendin e tyre Shqipërinë në shtetin fqinj. Në peshën 46 kilogramë Xhovan Shkoza për pioner ka fituar medaljen e arit.

Ai ka mundur 3 kundërshtarë duke fituar ndeshjen e parë më një kosovar, të dytën ndaj një boshnjaku dhe të tretën kundër një rivali nga Mali i Zi. Vendin e parë e ka fituar edhe Lurjan Kaçi në peshën 60 kilogramë. Edhe ky ka fituar 3 ndeshje fillimisht ka mundur një kosovar më pas rivalin nga Bosnje Hercegovina dhe në sfidën e tretë ka fituar ndaj kundërshtarit nga Mali i Zi. Xhudisti në kategorinë për kadet ka marrë medaljen e arit ndërkohë që para pak ditësh mori medaljen e bronzit në një turne në Serbi. Xhudisti i tretë i Vllaznisë Luigj Shkoza që ka përfaqësuar Shkodrën në peshën 66 kilogramë edhe ai ka arritur të marrë medalje. Ai është renditur në vendin e tretë duke fituar medaljen e bronzit. Shkoza ka fituar dy takime duke mos arritur të jetë finalist. Skuadra e Vllaznisë kësaj here është drejtuar nga trajneri Angjelin Dedaj i cili ka ndihmuar xhudistët në arritjen e rezultateve pozitive. Aktiviteti është zhvilluar në pallatin e sportit të Podgoricës “Milos Stankoviç”. Ndërkohë që ekipi është shoqëruar edhe Presidenti i Akademisë “Albania Xhudo Kodokan” Anton Shkoza i cili vijon të qëndrojë shumë pranë sportit të xhudos duke dhënë kontributin e tij. Ka qenë pikërisht ai i cili ka mundësuar pjesëmarrjen e xhudistëve në këtë turne duke mbuluar të gjitha shpenzimet për transportin dhe qëndrimin në Podgoricë të Malit të Zi vend në të cilin është zhvilluar turneu i përvitshëm Internacional për fëmijë, pioner, të rinj e kadet.