Mesditën e sotme ka përfunduar edicioni i 16-të i Memorialit Ndërkombëtar të boksit që zhvillohet çdo vit në Shkodër.

Por duhet thënë se edicioni i sivjetëm ka lënë shumë për të dëshiruar sa i takon pjesmarrjes, vetëm 16 sportistë.

Nga to, 9 ka qenë shqiptarë dhe vetëm 7 të tjerë kosovarë e maqedonas. Shumë pak për një eveniment të tillë që zakonisht është bërë për tre ditë me rradhë ndërsa këtë herë ndoshta mund të mbyllej me një ditë të vetme.

Pikërisht për këtë arsye, trajneri i kombëtares shqiptare Zef Gjoni ka shprehur rezervat e tij në lidhje me këtë organizim.

Pas përfundimit të Memorialit, ai është shprehur: “Edhe pse ndeshjet u bënë të forta, ky memorial për mua, por edhe ai i vitit të kaluar, ishin të dështuar.

Kjo pasi para disa vitesh kanë marrë pjesë 107 sportistë nga vende të ndryshme të botës, madje edhe nga Australia, Rusia, Italia etj.

Kemi patur të pranishëm edhe kampionë bote dhe kampionë olimpikë. Ndërsa këtë vit morën pjesë vetëm 7 sportistë nga Maqedonia dhe Kosova.

Ky është respekti që na kanë bërë ato dhe nënvlerësimi që na ka bërë Bashkia Shkodër.

Bashkia na premtoi se do ta bëjmë shumë të fuqishëm dhe do ta sponsorizojmë por në fund hodhi vetëm 3 milionë lekë.

Edhe për posterin e memorialit që është vënë në qendër të Shkodrë, bashkia nuk është në dijeni se kush është.

Ai është Ndoc Gjoni, boksier i Vllaznisë dhe i Partizanit. Një boksier që ka bërë 12 vjet burg politik dhe është vrarë më pas në kufi ndërkohë që ende edhe sot e kësaj dite nuk i janë gjendur eshtrat.

Nuk është vetëm ai, janë edhe Nazmi Halili, Dervish Efovija, Kujtim Demi e të tjerë të perspektuar, në nderim të të cilëve zhvillohet ky Memorial.

Ky është respekti që i bëhet këtyre figurave. Gjithsesi nuk kanë shanse të dërgojnë boksin në të njëjtën gjendje siç kanë bërë me basketbollin dhe volejbollin, të paktën sa të jem unë aty.

Edhe sikur Edi Rama të vijë në Shkodër, boksin nuk e shkatërrojnë, pasi ka dashamirët e saj”.
© shkodrasport.com