Armando Sadiku është zyrtarisht sulmuesi më i ri i Luganos dhe ky laj u konfirmua pak minuta më parë nga vetë faqja zyrtare e klubit të Levantes. Bomberi shqiptar, i jep fund në këtë mënyrë aventurës së tij me fanellën e Levantes, pa arritur të lërë gjurmë duke u rikthyer aty ku mori edhe famë të madhe si futbollist. Në sy bie fakti se Levante ka mbajtur të drejtën që ta rikthejë sërish Sadikun në skuadër nëse e sheh të arsyeshme.

Në fakt, mund të duket e çuditshme pika që e lejon Levanten që ta rikthejë në skuadër sërish Sadikun, duke qenë se nuk është një huazim i mirëfilltë. Është vetë Federata Spanjolle e Futbollit, ajo e cila nuk e lejon që Sadiku të huazohet.

“Levante UD dhe FC Lugano kanë rënë dakord për transferimin e Armando Sadiku. Brenda kësaj marrëveshjeje të arritur me klubin zviceran, klubi i Levantes ka të drejtë që ta rikthejë sërish në skuadër.

Futbollisti u bashkua me skuadrën gjatë merkatos së dimrit në sezonin 2017-18, duke debutuar në një ndeshje ndaj Betis. Në total, sulmuesi shqiptar ka luajtur gjashtë ndeshje, katër prej tyre si titullar. Verën e kaluar, një lëndim i rëndë në gju e largoi nga fushat e blerta.

Nga Levante UD, duam të falënderojmë për punën dhe profesionalizmin e Armando Sadikut, si dhe i urojmë suksesin më të madh si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal”, shkruhej në njoftimin e klubit spanjoll./vipsport/