Kampionati kombëtar i futbollit për femra U-16 ka çelur edicionin e parë ditën e djeshme, duke i hapur kështu rrugën një tjetër risie në futbollin shqiptar. Kështu, Murlani e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer ndeshjen e parë të kampionatit, në këtë grupmoshë.
Në ndeshjen e parë të saj, ka fituar me rezultatin 6-0 ndaj ekipit Akademia Europiane e Futbollit Femra, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive të Barbullushit.
Sa i takon ndeshjes, rezultati është zhbllokuar në minutën e 22-të, kur Ndoci e Murlanit ka shënuar golin e parë. Pas katër minutash, do të ishte sërish kjo futbolliste, teksa do të dyfishonte rezultatin, falë golit të saj. Me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë.
E dyta do të kishte vend edhe për katër gola të tjerë. Në minutën e 49-të, të pjesës së dytë, ka qenë Gjoka, që e ka dërguar topin në rrjetë, ndërsa menjëherë pas këtij goli do të ishte sërish Ndoci, që të shënonte golin e katërt dhe të tretë personal.
Sërish, pas një minute, do të ishte Gjoka, që do të shënonte edhe golin e pestë. Megjithatë, ndeshja nuk do të mbyllej këtu, sepse në minutën e 55-të, do të shënohej edhe një gol tjetër, me autore Tomën.
Përfundimisht, 6-0 për Murlanin, që me këtë fitore ka marrë trepikëshin e parë, duke qenë për momentin në vendin e dytë të renditjes. Mënyra si ka nisur ky kampionat, e bëjnë këtë skuadër pretendente për marrjen e titullit kampion për kampionatin e femrave, U16.
Maringlen ZHIVANI