Katër boksierët pjesmarrës të Vllaznisë kanë fituar të drejtën për të diskutuar finalet e nesërme në turneun ndërkombëtar që po zhvillohet në Sarajevë të Bosnjës. Në fakt ishte menduar të merrnin pjesë pesë sportistë, por në fund Nelson Hysa është tërhequr dhe nuk ka udhëtuar drejt këtij shteti ballkanik. Sot janë zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale. Nga boksierët tanë, kanë konkurruar vetëm dy prej tyre. Kështu, Arjon Kajoshi në peshën 75 kg ka arritur të fitojë ndaj një boksieri vendas- boshnjak. I suksesshëm ka qenë edhe boksieri tjetër i Vllaznisë, Syrjan Marinaj që në gjysmëfinalen e peshës 81 kg, ka arritur të fitojë ndaj një kundërshtari slloven. Pasditen e nesërme do të zhvillohen ndeshjet finale në të cilat do të konkurrojnë të katër boksierët tanë do të kenë mundësinë të luftojnë për të zënë vendet e para dhe të marrin medaljet e arta. Kështu, në finalen e peshës 69 kg, Marjan Vashja do të konkurrojë përballë një boksieri të Bosnjë- Hercegovinës. Në finalen e peshës 75 kg, Arjon Kajoshi do të ndeshet me një boksier të Sllovenisë ndërsa në finalen e peshës 81 kg, Syrjan Marinaj këtë herë do tëketë përballë një boksier nga Mali i Zi. Boksieri i fundit, Emanuel Kaçaj në finalen e peshës 91 kg, do të ndeshet me një kundërshtar nga Kroacia. Natyrisht që objektivi është i qartë: fitorja e të paktën dy ndeshjeve. Këtë gjë pat deklaruar përpara nisjes edhe vetë trajneri i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare Zef Gjoni.

© shkodrasport.com