Monday, January 12, 2026
FAQJA E PARE KRYESORE'Mesi më donte te Barça', Lautaro:Lukaku ndoshta është penduar

‘Mesi më donte te Barça’, Lautaro:Lukaku ndoshta është penduar

Lautaro Martinez me golin e realizuar ndaj Specias është rikthyer të jetë golashënuesi më i mirë i Interit, duke lënë pas Edin Xhekon. Me shokun e ri të repartit argjentinasi pati menjëherë kimi duke formuar një tjetër dyshe të frikshme pas asaj me Lukakun, për të cilin duket se 24-vjeçari ka ende nostalgji.

Por, ashtu si belgu edhe Lautaro ishte gjatë gjithë verës në qendër të zërave të merkatos dhe në një intervistë të dhënë për “Sky Sport”, vetë sulmuesi zbuloi prapaskenat e rinovimit të tij me zikaltrit duke përcaktuar objektivat e skuadrës, pa shmangur pyetjet mbi Lukakun e Mesin.

Pasi ishit në qendër të merkatos, ju vendosët të rinovonit me Interin. Si erdhi zgjedhja dhe çfarë ndieni tani për këtë?
Bashkë me familjen kemi folur shumë mbi të ardhmen dhe në fund kemi vendosur të qëndrojmë në Milano. Qyteti na pëlqen shumë, projekti i klubit ishte ambicioz dhe më ka pëlqyer ajo që kanë propozuar. Jam shumë i lumtur për vendimin që kam marrë.

Thuhet se Mesi ju ka dashur te Barcelona. Është e vërtetë?
Me Mesin kemi diskutuar shumë në kombëtare për këtë temë dhe më pyeste gjithmonë si ishte situata e kontratës tek Interi, por unë isha shumë i qetë sepse flisnim shpesh me shoqërinë për të gjetur akordin dhe unë jam shumë i kënaqur që qëndrova.

Çfarë ka ndikuar për pjekurinë tuaj në fushë dhe jashtë saj?
Unë u bëra baba në një moshë të re dhe kjo ka qenë arsyeja pse jam pjekur shpejt si në fushë dhe jashtë saj. Bëj kujdes me zgjedhjet e mia dhe mbi të gjitha gjithmonë kërkoj të përmirësoj veten si futbollist dhe në aspektin njerëzor. Ndonjëherë acarohem shpejt, por menjëherë e qetësoj veten, sepse dua që ta mbrojmë patjetër titullin e vitit të kaluar.

Fakti që stema trengjyrëshe është më në fund në gjoksin tonë është shumë e rëndësishme për ne. Të gjithë ne jemi duke ndjekur urdhrat e trajnerit dhe personalisht dua të jap maksimumin për të ndihmuar skuadrën, pavarësisht se ndonjëherë shënoj e ndonjëherë jo. Por, jemi të gjithë shumë të përqendruar dhe një grup shumë i mirë. Këtë vit ndryshoi edhe trajneri.

U desh kohë të mësoheshit me Inzagin?
Unë Inzagin e vlerësoj shumë, është një ndihmë e madhe për mua. Kur mbërriti në Milano, isha në grumbullim me kombëtaren dhe gjatë Kupës së Amerikës kemi folur shpesh në telefon. Është ndihmë e madhe për mua dhe kërkoj të mësoj nga ai, ashtu si kam bërë edhe nga trajnerët e tjerë. Përpiqem të marr nga eksperienca e tij sepse e di që do më të mirën për të gjithë ne.

Tani vijnë dy ndeshje kyçe: Roma dhe Reali i Madridit. Si i prisni?
Si fillim po përgatitemi për ndeshjen me Romën. Ata janë të fortë, kanë një trajner shumë të zotin, por ne do të shkojmë për të bërë lojën tonë. Na pret një atmosferë e nxehtë sepse luajmë në stadiumin e tyre, por duhet t’i japim një sinjal kampionatit. Pastaj do të mendojmë për ndeshjen në Madrid, ku do të shkojmë patjetër për të fituar. Nëse marrim fitoren aty, përveçse u japim një mesazh të gjithëve, do të jetë një eksperiencë që do të na ndihmojë të rritemi.

Keni rikuperuar shumë pikë dhe tashmë jeni vetëm -2 nga Napoli.
Niveli i kampionatit po rritet shumë dhe këtë e tregon klasifikimi i ekuilibruar. Duhet të vazhdojmë të këmbëngulim dhe të mbrojmë titullin. Po bëjmë atë që na kërkon trajneri duke sulmuar zonën me shumë kundërshtarë. Kemi lënë ca pikë rrugës, por po rikuperojmë.

Çfarë mendoni për trofeun e “Topit të Artë” që këtë vit i shkoi Mesit?
Për mua më shumë rëndësi kanë sukseset e skuadrës se ato individuale dhe ato vijnë nëse funksionon grupi. Edhe Mesi si shtatë herë fitues këtë thotë. Leo ka qenë thelbësor për suksesin në Kupën e Amerikës. 8 gola në kampionat, por ende asnjë në Champions… Shpresoj ta gjej shpejt golin edhe në Europë. Jap gjithmonë maksimumin dhe mbështes shokët të shënojnë. Për sa kohë fitojmë, rendësi ka grupi dhe jo golat e mi.

Grupi ka rëndësi, por këtë sezon pa “gjysmën” Lukaku. Është penduar që është larguar?
Nuk e di nëse është penduar, sepse janë zgjedhje personale. Unë mund t’ju them që ai këtu ishte shumë i lumtur pavarësisht largimit. Tani ne që jemi këtu do të japim më të mirën për Interin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments