✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Dueli i rradhës në kampionat tek Vllaznia ndaj Teutës, i vlefshëm për javën e 13-të të edicionit dhe që do luhet ditën e premte në orën 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës pritet të sjellë disa ndryshime në formacionin e kuqebluve. Kështu një mungesë e sigurt do jetë Ardit Krymi, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do jetë i pezulluar për sfidën ndaj durrsakëve. E teksa me ekipin do rikthehet të jetë i gatshëm Erdenis Gurishta, që nga ana e tij ka shlyer dënimin për shkak të penalizimit nga kartonët në ndeshjen me Partizanin.

E pikërisht nga 30-vjeçari do nisin edhe ndryshimet në formacionin shkodran, i cili do rikthehet të jetë titullar në formacion. Me Pusin që do ulet në stol, ku duhet theksuar se shkodrani zhvilloi një ndeshje pozitive kundër Partizanit së fundmi. Në mesfushë në mungesë të Krymit mund të luajë Qato në vend të tij. Teksa si titullarë pritet të rikthehet edhe Kallaku, i cili ndeshjen e fundit në kampionat e nisi nga stoli për shkak të një lëndimi të kaluar së fundmi.

Edhe në sulm mund të ketë ndryshime apo rishikime pozicionesh, me Malen dhe Kastratin që mund të bëjnë “rokadë” mes tyre. Ku prizrenasi do “transferohej” në krahun e djathtë të mesfushës dhe ish-futbollisti i Dinamo Zabreg do formonte dyshen ofensive me Balajn. E ndërsa formën optimale po arrin edhe Bismark pas rikthimit nga dëmtimi 2 mujor, me ganezin që do jetë një rival i fortë për formacionin në javët e ardhshme.

Megjithatë për të shikuar ndryshimet e konkretizuara duhet të presim deri të premten, ku Vllaznia do zbresë në fushën e lojës. Pasi me Martinin jemi mësuar që shpesh të ketë surpriza në formacion pak orë para nisjes së dueleve në kampionat.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”