Sunday, April 26, 2026
FAQJA E PARE PA KATEGORIVIDEO/ Vllaznia futsall 'shtyp' Tiranën. Fiton 6-1 ndaj rivales për titull

VIDEO/ Vllaznia futsall ‘shtyp’ Tiranën. Fiton 6-1 ndaj rivales për titull

Vllaznia futsall arrin të marrë një tjetër fitore të rëndësishme në kampionat dhe sërish ndaj një tjetër rivali. Pas asaj të javës së kaluar në Vlorë kundër Flamurtarit, kuqeblutë pasditen e sotme kanë triumfuar edhe ndaj Tiranës. Madje me një rezultat të thellë 6-1, në takimin e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Ekipi shkodran e ka nisur mirë ndeshjen dhe ka qenë Denis Çokaj ai që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 9-të. Më pas, një minutë më vonë është Besfort Gjoklaj që dyfishon shifrat duke i dhënë qetësinë skuadrës së tij. Por Vllaznia nuk do të ndalej këtu sepse në pjesën e parë do të shënonte edhe dy gola të tjerë me anë të Saimir Hysenit dhe Alsid Tafilit që realizoi një kryevepër.

Pjesa e parë në këtë mënyrë do të mbyllej me rezultatin e pastër 4-0. Në të dytë, bardheblutë u munduan të reagojnë dhe pas shumë përpjekjesh arrijnë të shënojnë me anë të Alibegut, por vetëm kaq sepse disa tentativa të tyre do të ndaleshin nga portieri Fatos Behari që tregoi një formë shumë të mirë.

Në minutat e fundit të ndeshjes ndërkohë do të vinin edhe dy gola të tjerë për ekipin e Vllaznisë të shënuar nga Semir Gokaj dhe Tafili sërish, këtë herë me penallti. Përfundimisht 6-1 për Vllaznia futsall që merr një trepikësh me shumë vlerë. Ajo kryeson e vetme renditjen me 13 pikë, e ndjekur nga Tirana me 7 pikë, por me një ndeshje më pak.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments