Shqipëria U21 barazoi 2-2 në ndeshjen miqësore me Ukrainën U21, në sfidën e luajtur në “Szentmarjay Tibor Városi Stadion”, në Eger të Hungarisë. Skuadra kuqezi zhvilloi një ndeshje mjaft pozitive, duke qenë dominuese në pjesën më të madhe të takimit.
Trajneri Endri Zjarri e nisi ndeshjen me këtë formacion: Alain Taho, Aurel Marku, Ervin Bashi, Numan Ajeti, Arlind Kurti, Etnik Brruti, Mattia Huqi, Luan Simnica, Omer Bajraktari, Ermir Rashica dhe Kevin Dodaj. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Samuel Sina, Krist Gecaj, Aidon Shehu, Gabriel Kulla, Ergis Arifi, Erald Maksuti, Fabjan Përndreca dhe Benjami Dibrani. Siç shikohet në këtë ndeshje debutoi me kombëtaren U21 edhe sulmuesi 18 vjeçar shkodran i Sassuolos, Gabriel Kulla.
Ndeshja nisi mirë për kuqezinjtë, të cilët patën disa mundësi të mira për shënim. Në minutën e 18-të, Shqipëria gjeti rrugën e rrjetës me Kevin Dodajn. Pjesa e parë u dominua nga skuadra e Zjarrit, e cila mund të kishte shënuar edhe më tepër.
Në fraksionin e dytë, saktësisht në minutën e 55-të, Ukraina fitoi një 11-metërsh, i cili u kthye në gol nga Oleksii Talpa. Vetëm dy minuta më vonë, Dmytro Bohdanov përmbysi rezultatin, duke i dhënë avantazhin Ukrainës.
Por Shqipëria nuk u dorëzua dhe pas disa mundësive radhazi, në minutën e 90-të, Erald Maksuti ktheu në gol një harkim nga këndi, duke vendosur baraspeshën. Kuqezinjtë mund të kishin shënuar edhe në minutat shtesë me Kullën, por në fund gjithçka u mbyll në barazim 2-2.
Një test i mirë për Shqipërinë U21, që vijon punën për finalet e Kampionatit Europian U21, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në vendin tonë.


