Drejtuesit e Adës së Velipojës janë të kënaqur me barazimin e arritur në Ersekë me Gramozin vendas. Trajneri i Adës ka theksuar se rezultati 1-1 në një fushë si Erseka është shumë i rëndësishëm. “Natyrisht që jam i gëzuar për barazimin që arritëm. Besoj që barazimi ishte rezultati më i drejtë i atij takimi. Normalisht që më vjen keq që nuk mundëm të fitojmë por na mjafton edhe barazimi.

Në fazën e parë do të përpiqemi që të qëndrojmë ndër 6 vendet e para dhe më pas në janar të bëjmë një merkato të fuqishme për të rritur pretendimet gjatë fazës së dytë. Këtë vit lufta është e fortë sepse janë disa ekipe që rivalizojnë”. Nikaj flet edhe për sfidën e radhës me Elbasanin. “Është një ndeshje shumë e fortë që sërish e zhvillojmë jashtë fushe. Dihen pretendimet e Elbasanit në Kategorinë e Parë. Megjithatë ne do të shkojmë atje për të siguaur sërish rezultat pozitiv sepse vetëm kështu mund të bëjmë përpara” – thekson trajneri Nikaj. Ada ka nisur përgatitjet për ndeshjen e javës 6-të në Elbasan, një takim i fortë duke qenë se Ada është në vendin e dytë ndërsa Elbasani një nga pretendentet për daljen në Superligë.