Nesër, Ada do të luajë ndeshjen e parë për fazën e dytë ndaj Elbasanit. Kjo ndeshje ishte planifikuar të luhej të shtunën, por nuk ka ndodhur kështu dhe ndeshja do të luhet nesër.

Arsyeja kishte të bëjë me problemet e fushës së Cërrikut, ku edhe do të luhet kjo ndeshje nesër. Në këto rrethana, trajneri i Adës, Arbër Shytani, ka pasur mundësinë që t’i shfrytëzojë këto ditë për ta përgatitur edhe më mirë skuadrën.

Në mungesë të ndeshjeve miqësore, trajneri Shytani e ka shfrytëzuar këtë periudhë për të shikuar formën e lojtarëve që janë afruar dhe përshtatjen e tyre me grupin.

Kështu, në ekipin e Adës janë afruar: Brilant Hasaj, Enio Marku, Mikel Keshtejaku, Fatmir Pjollaj, si edhe rikthimi i Brian Ferhatit, ish-kapiten i skuadrës sezonin e kaluar.

Në kampin velipojak, takimi ndaj Elbasanit është vlerësuar si një ndeshje tepër e rëndësishme, teksa skuadra e Adës do të synojë patjetër të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje.
Maringlen ZHIVANI