Agustin Kola nuk kursen askënd. Sidomos kur bëhet fjalë për interesat e sportit në tërësi dhe futbollit në veçanti, është edhe therës me deklaratat e tij. Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, legjenda bardheblu tregon situatën në vend, gjen arsyetimin pse klubet heshtin në asamble, por edhe flet për Sindikatën e Futbollistëve.

Profesor, keni bërë një reagim së fundmi në rrjete sociale…

Po, i kam thënë unë ato fjalë, por ju lutem mos më kërkoni t’i përsëris. Nuk u heq asnjë presje dhe nuk kam asgjë për të shtuar rreth atyre. Nëse do të flasim për futbollin… Njerëzit mund të më ngatërrojnë, por unë për kavajasit kam debulesë. Kanë qenë djepi i futbollit, që nga Karriqët e të tjerë me radhë.

Ka pasur një reagim nga ana e Sindikatës së Futbollistëve për deklaratën tuaj…

E pashë. Më vjen keq sepse ky vendos sekretarin e Partisë së Punës që të flasë. Nuk përballet dot vetë. Unë nuk merrem me sekretarin e Partisë së Punës. Dua kryetarin. Jam mësuar me kryetarë. Ju lutem, më pyesni për sportin në përgjithësi…

Ndër të tjera citohet se ju keni edhe hatërmbetje ngaqë nuk u ftuat në ndeshjen e legjendave…

Jo fare. Nuk dua unë të më nderojnë sindikatat as partitë. Nuk i kam parë ndonjëherë këto gjëra. Më besoni, kam luajtur futboll ama kënaqësia ime janë vetëm njerëzit në rrugë që më flasin, më nderojnë dhe respektojnë. Unë dua që të nderohem dhe respektohem si njeri, jo si kryetari i sindikatës.

Kjo është kënaqësia më e madhe që mund të marr. Unë në jetë gabime kam bërë dhe të gjithë bëjmë, por faje nuk kam bërë kurrë. Dhe ky është faj. Unë jam i drejtpërdrejtë dhe nuk fus të tjerët që të flasin në emrin tim, por dal vetë dhe i them çfarë kam për të thënë. Sa për hatërmbetjen, nuk m’i jep meritat sindikata mua, kështu që nuk ekziston. Edhe shokëve të mi, sepse nuk është vetëm Agustin Kola në këtë punë.

Çfarë faji ka sindikata sipas jush?

Sindikata është për një punë. E kam thënë edhe herë të tjera dhe tek ato fjalë që kam renditur në atë deklaratë i kam rreshtuar të gjitha. Unë kam qenë dhe jam gjithmonë pro futbollistëve. Asnjëherë kundër tyre.

U zhvillua asambleja, këtë herë “online”, por asnjë klub nuk diskuton asnjë çështje rreth problematikave të futbollit. Ju bie në sy heshtja e tyre?

Shikoni, kryesore në këtë situatë është hapja e futbollit. Ajo që mendoj unë është që do të zgjidhet çdo gjë në këtë aspekt dhe do të rihapet futbolli. Unë nuk ia bëj qejfin as qeverisë, askujt, por kam besim që nuk do të pengohet futbolli edhe për faktin se vetë kryeministri është dashamirës i sportit. Do ta lejojë të luhet.


Klubet heshtin edhe për ligjin e sponsorizimeve. Si ka mundësi që nuk flitet në asamble dhe ta trajtojnë si çështje meqë është shumë e rëndësisRamahme për sportin?

Në këtë situatë që kemi kaluar të gjithë, janë trullosur pak edhe nga kjo pandemi. Jemi trullosur të gjithë në përgjithësi nga kjo. Prandaj them që le ta kalojmë njëherë këtë. Ta heqim qafe këtë kampionat dhe pastaj…

Të bëhet sa për të thënë?

Jo. Nuk e thashë në kuptimin e keq të fjalës, por me idenë që të përfundojë ky sezon dhe më pas t’i diskutojmë këto gjëra.

Ju thoni është dashamirës, por vetë kryeministri e la sportin pa pagesën ndihmëse të kësaj periudhe që u mbyll çdo aktivitet…

Unë e kam deklaruar edhe për gazetën tuaj që duhet të kishte një pagesë të tillë. E kam thënë që duhej vlerësuar edhe sporti me këtë pjesë dhe nuk dua t’i rikthehem edhe një herë. Nuk dua të rikthehem edhe një herë te kjo temë.


Pas 2 muajsh mbyllur, çfarë niveli futbolli presim të kemi sipas jush?

Kjo lloj sëmundjeje, epidemi, pandemi, çfarëdo që ta quajmë, mendoj se bie mbi trupa të ngordhur. Kjo dhe çfarëdolloj sëmundjeje apo virusi i tillë. Sipas meje, te sportistët apo fëmijët nuk bie kjo. Në raste shumë të rralla ndodh. Është koha që të dalin të marrin ajër, të nisin aktivitetet, me ato kujdeset e nevojshme që deklarojnë mjekët dhe instancat.


Ishte e nevojshme të qëndronte sporti kaq gjatë mbyllur?

Të jemi realistë, duhet të qëndronim mbyllur. E them këtë, pasi nuk e njihnim askush, jo ne, por as në botë se çfarë po ndodh. Ishte e frikshme. Ju me të drejtë pyesni se a ishte e nevojshme që të qëndrojë sporti i mbyllur, por kur nuk po e lejon bota sportin, më saktë kur e mbajtën mbyllur edhe shtete shumë herë më të fuqishme, por ne çfarë jemi përpara tyre? Ato kanë edhe shumë përvojë më të madhe sesa ne…

Po shkon drejt limiteve të kohës kur edhe mund të përfundojë kampionati…

Unë them që vetëm të mbarojë kampionati. Dua që të luhet dhe të përfundojë në fushë. Sigurisht, do ta kenë pak të vështirë në fillim futbollistët. Jo vetëm te ne, por në të gjithë botën mendoj. Është komplet ndryshe kur bën stërvitje individuale dhe krejt tjetër kur stërvitesh me grupin. Në mes është edhe ana psikologjike e lojtarëve. Ka peshë shumë të rëndësishme.

Do të ketë pesë zëvendësime…

Më pëlqeu shumë ky vendim i FIFA-s apo rekomandimi i tyre për të qenë i saktë. Për këtë situatë u shërben ekipeve.

Tirana është skuadra më e rrezikuar në rast se rinis futbolli. Për të dhe ekipet që do të shkojnë në Europë, do të ishte më mirë që të përgatiteshin për ato ndeshje dhe për sezonin tjetër dhe ta konsiderojmë të mbyllur?

Unë e kam thënë dhe dëshira ime është që Tirona ta marrë në fushën e lojës. Ka më tepër bukuri kur vendoset duke luajtur. Sigurisht, them për të se është e para, me disa pikë diferencë dhe sepse është dëshirë imja që ta marrë Tirona këtë vit.