Erand Ibraimi, Drejtori i FSHF për marrëdhëniet me jashtë dhe projektet foli për akuzat ndaj institucionit të futbollit për zhdukjen e fondeve të FIFA. Ibraimi ka cekur fondin prej 1.5 milionë dollarë të ardhur nga FIFA dhe shpërndarjen e tyre për pagat e luftës, futbollin e femrave dhe aktivitetin e ekipeve kombëtare në kohë covidi.

“Çdo qindarkë që vjen nga FIFA ose UEFA kalon nëpërmjet një kontrolli të qartë auditimi dhe inspektimi, si edhe certifikimi. Nuk është një marrëdhënie që jepen lekë dhe nuk ka asnjë lloj gjurmimi. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ngre gjithë zanafillën e strukturës që do parashtrojmë më poshtë.

Lidhur me Covid-19, FIFA ka alokuar një fond për të gjitha federatat. Për FSHF kanë ardhur rreth 1.5 milionë dollarë. Rreth 500 mijë dollar janë tërhequr nga ky fond në 6 gusht 2020. I gjithë fondi ka shkuar për pagat e “luftës” për gjithë njerëzit që kanë qenë në botën e futbollit që për dy maujt mars-prill ka mbetur pa një mbështetje të madhe. Ky fond është zëvendësuar më pas me atë fond që kemi alokuar. Duke qenë se fondi që kemi dhënë për anëtarët ka qenë më i madh, pjesa tjetër është mbuluar nga burimet tona të brendshme.

Kanë qenë kontribute të administratës, stafeve të kombëtares dhe një sakrificë që ne do e bënim në çdo moment. 500 mijë të tjera, të cilat janë dedikuar për futbollin e femrave janë tërhequr në 20 gusht 2020. Këtë vit është përdorur 106 mijë ose një pjesë e vogël e këtij fondi, paga këto solidariteti për trupën e futbollit të femrave.

Pjesa tjetër është alokuar dhe miratuar nga FIFA për skemën e futbollit të femrave. Kjo skemë është e shtrirë në tre vite. Ne kemi bërë një disbursim për 2020-2021 dhe do vijojmë në 2022.

500 mijë dollarë të tjera janë përdorur për ekipet kombëtare. Këto skuadra kanë shpenzime shumë të qënësishme, fluturim, akomodim. Nga ndeshja me Anglinë mund të arkëtonim shuma të konsiderueshme, por që për fat të keq e bëmë pa tifozë. Janë një indicie se sa humbje kemi pasur në buxhet,

Ky fond ka shkuar për ekipet kombëtare. I gjithë aktiviteti financiar për këtë fond është i audituar nga FIFA dhe në 25 maj 2021 kemi marrë raportin e FIFA, që ka audituar këtë fond. Kjo është e vërteta, është e certifikuar nga FIFA”, tha Ibraimi.