Alfred Ferkon e bind ky Flamurtar. Drejtori i klubit thotë, se kjo skuadër po prodhon dhe është në momentin e duhur. Për “Panorama Sport”, ai ka folur per ndeshjen e rradhes, por edhe per padrejtesite qe po i behen kesaj skuadre.

“Unë kam pasur fatin e keq që ta përjetoj ndeshjen me Dinamon. Do të thosha që ajo vazhdimësi vazhdon në kurriz të Flamurtarit. Ndeshja me Elbasanin tregoi se është vërtet një kampionat i trukuar dhe të vjen keq për atë që ne bëjmë në fushën e lojës. Presidenti Sinan Idrizi vazhdon të investojë sikundër ka bërë gjithnjë për të krijuar një Flamurtar të denjë për t’i fituar ndeshjet në fushën e lojës.

FSHF-ja me në krye presidentin Duka vazhdojnë që të na dënojnë vazhdimisht. Ishte një absurditet i madh edhe gjoba që morëm në Elbasan për tifozët pasi unë si përfaqësues i Flamurtarit kam deklaruar se nuk kemi tifozë të organizuar, kështu që në një tribunë të madhe askush nuk mund ta dijë që dikush hedh një send në fushë dhe ai vjen nga Vlora.

Është një tjetër padrejtësi që na është bërë. Megjithëkëtë, natyra jonë si vlonjat dhe vetë Sinan Idrizi, nuk kemi për të qenë kurrë pesimist. Do të vazhdojmë që të luftojmë deri në fund. Kemi krijuar një ekip të mirë, një ekip që do të luftojë deri në fund për t’u ngjitur në Superiore. Ne nuk e lëmë kurrë garën në mes.

Nuk e kemi lënë kurrë dhe nuk do ta bëjmë. Do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund pavarësisht padrejtësive që vazhdohen që të na bëhen”, përfundon Ferko. Për ndeshjen me Tomorin ditën e nesërme Flamurtari do të ketë dy mungesa të sigurta. Denis Pjeshka dhe Beji mungojnë për shkak të dëmtimeve.