Pjesë e ish-ë futbollistëve të Vllaznisë, e madje që 7 sezone më parë është konsideruar me mjaft të ardhme, është dhe mesfushori Alsid Tafili. Pasi ka bredhur në disa ekipe shqiptare, biri i të ndjerit, mjeshtrit të madh të çiklizmit shqiptar Agim Tafili, kaloi një gjysmë sezone në Greqi në Kategorinë e Dytë, por që nga janari këtij viti ai po aktivizohet me shumë sukses në kampionatin kosovar, me Lirinë e Prizrenit, duke qenë protagonist në këtë skuadër, jo vetëm me lojën e zhvilluar prej tij si mesfushor organizaotr, por edhe me golat e shënuar nga ai. Alsid Tafili mund të konsiderohet një tjetër alternativë për mesfushorën shkodrane në sezonin e ardhshëm, pra 2012-2013.
Drejtuesit e Vllaznisë vazhdojnë të jenë të rezervuar në dhënien e informacioneve për kontaktet me të gjithë futbollistët, që mendohet të jenë pjesë e kuqebluve në të ardhmen, por forma e mirë sportive, që po kalon Tafili në Kosovë mund të jetë një sinjal i mirë, për bashkëpunimin mes të dy palëve. Alsid Tafili së bashku me Xhevahir Sukajn dhe Gilman Likën, i përkasin një brezi, madje për të tre së bashku ka një koiçidencë, që ishin veçse 17-vjeçar, në sezonin 2004-2005, kur Vllaznia drejtohej nga Vasil Bici dhe ata u afruan tek ekipi i parë si futbollistë të perspektivës. Por nëse për Sukaj dhe Likën, që në atë sezon, por edhe një sezon më pas, pati më shumë hapësira për t’u aktivizuar, nuk ndodhi e njëjta gjë për Tafilin, i cili pas dy sezonesh, u detyrua që të niste dhe të “emigronte” fillimisht nëpër Shqipëri, por pak kohë ( jo tani, por dy sezone më parë), pati provuar dhe Kosovën. Gjithsesi deri në qershor, kur do të mbyllen të gjitha aktivitetet futbollistike në Kosovë dhe Shqipëri, ngjarjet mund të rrokullisen dhe të shohim se si do të vendosen në kohë reale. Gjithsesi ka mundësi, që pak një kohë relativisht të gjatë, dy mesfushët G.Lika dhe A.Tafili së bashku me sulmuesin Xh.Sukaj të bëhen bashkë tek Vllaznia, si dikur kur ishin 17-vjeçarë.
Mejdan ZHIVANI
Xhevahir Sukaj, Alsid Tafili dhe Gilman Lika, te tre 18 vjeçare, vite me pare kur ishin sebashku pjese e Vllaznise. Do bashkohen serish nje dite?