Boksieri shqiptar, Alban Beqiri, që merrte pjesë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, është tërhequr nga ndeshja, ku garonte për peshën 69 kg.

Beqiri zbriti në ring ditën e djeshme, ku përballej me algjerianin, Jugurtha Ait- Bekka. Megjithatë pas dy raundeve të para, boksieri shqiptar vendosi të braktisë ndeshjen, për shkak të arbitrimit të njëanshëm.

Në një njoftim të KOKSH, thuhet se gjyqtarët e takimit, po favorizonin kundërshtarin me vendimet e tyre dhe në këtë situatë boksieri shqiptar, Alban Beqiri, vendosi të tërhiqet nga gara, duke mbyllur kështu aventurën në “Oran 2022”.

Njoftimi i KOKSH:

Në boks, del jashtë konkurrimit edhe Alban Beqiri, shpresa e madhe e Shqipërisë për medalje që garonte në 69 kg. Në fakt, boksieri kuqezi braktisi ndeshjen në raundin e tretë, pasi të gjithë gjyqtarët e takimit po mbanin anën e algjerianit Jugurtha Ait-Bekka.

Në këto kushte, me anshmëri të dukshme të gjykimit, skuadra kuqezi vendosi të tërheqë boksierin Alban Beqiri nga ndeshja, sepse gara nuk kishte më kuptim. Beqiri kështu mbyll aventurën në Oran 2022.