Sërish probleme për parketin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Pasditen e së enjtes, janë konstatuar ngritje të parketit në pjesën e mesit të fushës, e kjo madje e ka bërë të pamundur stërvitjen e ekipeve të basketbollit dhe të volejbollit. Një rikthim I problemeve të këtij parketi, ka detyruar drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia të thërrasin sërish punonjësit e firmës që ka shtruar parketin.

Madje, drejtuesit e kësaj të fundit duke parë që problemi ishte sërish shumë serioz, kanë thirrur nga Tirana dy specialistë të punimit të drurit tëcilët kanë nisur menjëherë punën për të riparuar problemin e shfaqur. Ende nuk dihet nëse ata do të arrijnë ta përfundojnë në kohë sepse ditën e shtunë janë planifikuar të luhen tre ndeshje të kampionateve kombëtare të basketbollit dhe volejbollit. Por jo vetëm kaq. Të martën pasdite do të zhvillohet edhe ndeshja e rradhës e Vllaznisë për Ligën Ballkanike ndaj ekipit maqedonas Kuzov dhe nëse vazhdojnë këto problem, rrezikohet që edhe kjo ndeshje të mos luhet. Kur flasim për dëmtimin e parketit, na duket qesharake akuza që firma e cila është marrë me shtrimin e saj pat bërë në fillim ndaj punonjësve të pallatit të sportit “Qazim Dervishi”, madje duke thirrur edhe prokurorinë për të bërë ekspertizën se gjoja parketi ishte dëmtuar me dashje. Por këto dëmtimet e tjera duket se e kanë hedhur poshtë këtë akuzë dhe fajëson rëndë këtë firmë që ka kryer punime jo cilësore. Ajo që përmendet nga të gjithë është se ky parket ka nevojë për një ndërhyrje totale, nga fillimi e deri në fund për ta bërë ashtu siç duhet sepse ndryshe, problemet do vazhdojnë pambarimisht për të.

© shkodrasport.com