Bajern Mynih është kthyer në objektivin e kritikave nga vetë tifozët e tij, pasi turpërimi në kampionat 1-3 përballë Mainz është mbyllur me.. një festë në Ibiza.

Menjëherë pas ndeshjes, pjesa më e madhe e skuadrës ka udhëtuar drejt Spanjës për këtë festë dyditore, pasi trajneri Nagelsman u kishte dhënë liri futbollistëve deri të martën, kur duhej të ktheheshin për të përgatitur ndeshjen e radhës ndaj Shtutgartit.

Me kampionatin e siguruar, bavarezët nuk kanë më objektiva shumë të rëndësishëm për të luftuar në këtë sezon, pasi janë jashtë Kupës dhe Ligës së Kampioneve. Por pikërisht ky fakt ka irrituar tifozët, të cilët kanë kërkuar shpjegime se si klubi ka lejuar që ekipi të shpërqendrohet pa u mbyllur sezoni, në një mënyrë kaq joprofesionale.

Hasan Salihamixhiç u justifikua para mediave duke thënë se ia kishin kërkuar lojtarët “për të bërë grup” dhe klubi kishte pranuar. Por jo të gjithë kanë udhëtuar drejt Ibiza, pasi Nojer kishte qëndruar në Gjermani, ashtu si Myler, Koman, Upamekano dhe Sarr. Një situatë me të vërtetë e pakëndshme që mund të sjellë pasoja për ekipin pasi e ka kundërvënë me tifozerinë.