Gazetari shkodran, Denis Bajraktari ka folur së fundmi për ndryshimet që kanë ndodhur tek Vllaznia. Sipas tij duhej një ndryshim në drejtim të ekipit siç ndodhi së fundmi. Bajraktari thekson se pret një frymë ndryshe tek kuqeblutë. Gjithashtu tregon se Mirel Josa kishte probleme me disa lojtarë, ku i fundit në rradhë ishte Latifi që u ndëshkua nga kryeqytetasi.

Bajraktari tha: “Them se këto ndryshime që erdhën së fundmi tek Vllaznia ishin të domosdoshme. Ndoshta ishte edhe disi i vonuar largimi i Joses, por siç e kemi dëgjuar edhe në deklaratat e presidentit Xhaferri, iu dha një shans të tregonte sërish veten që nga dhjetori.

Po ashtu mund të them se Josa u duk se kaloi në personale problematikat me futbollistët. Ku edhe rasti i fundit për penalizmin e Latifit ka ardhur nga Josa. E normalisht që stafi drejtues do merrte masat ndaj prishtinasit duke u bazuar në fjalët trajnerit.

Pres një frymë ndryshe nga këto lëvizje, ku dyshja Miloti-Sinani do japin një optimizëm tjetër për vijimin e sezonit. Kjo periudhë do jetë shumë vendimtare, pasi nga 5 ndeshjet që vijnë pas pushimit të kombëtareve, 4 do luhen në “Loro Boriçi”. Ky duhet të jetë një moment që duhet shfrytëzuar në maksimum dhe që do vendosë shumë për ecurinë e këtij edicioni”.
Endri ÇINARI