Elseid Hysaj e studioi mirë Lazio-n në humbjen kundër Genoa-s dhe më pas me Napoli-n e tij e mposhti skuadrën e Thomas Strakoshës, duke vijuar i qetë rrugën për të fituar titullin kampion.

Shkodrani bëri një paraqitje shumë të mirë dhe mediet në Itali thurën elozhe të shumta për të.

Edhe pse Napoli shënoi katër gola, shumë guxuan ta konsiderojnë Hysajn njeriun e ndeshjes. Sigurisht që kjo e rrit moralisht mbrojtësin e djathtë, që është në kërkim të lavdisë me skuadrën e tij.

Në lidhje me paraqitjen e Hysajt kundër Lazio-s ka folur edhe menaxheri i tij.

Mario Giuffredi pati një lidhje telefonike në “Radio Goal” dhe për paraqitjen e futbollistit të kombëtares ka lëshuar edhe një batutë:

“Besoj se Hysaj e ka treguar se mund të bëjë ndeshje të mëdha në sulm sikurse ndaj Lazio-s. Ndoshta kundër bardhekaltërve ishte më shumë se ç’duhet në sulm, ndërsa në ndeshjet e tjera ka qenë i përqendruar më shumë në mbrojtje.

I thashë një batutë, sepse ai ndërroi këpucët dhe ndoshta paraqitja e tij e mrekullueshme ka ardhur prej kësaj”.

Hysaj këtë sezon është aktivizuar në 21 ndeshje me Napoli-n dhe të gjitha këto takime i ka nisur nga minuta e parë.

Ai renditet i pesti në klasifikimin e futbollistëve që kanë akumuluar më shumë minuta në skuadrën e tij, duke dhënë kështu një kontribut të vyer për “të kaltrit”. /EDS/