Në Shkodër Dervish Haxhiosmanoviç u bë trajneri më i dashur për tifozët, sepse mbi të gjitha solli trofe. Për herë të fundit Vllaznia ka fituar titullin kampion në sezonin 2000- 2001, pikërisht nën drejtimin e malazezit që në qytetin verior njihet nga të gjithë me nofkën “Deda”.

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, malazezi pranoi me kënaqësi të fliste për Vllazninë. Në një rrëfim ekskluziv, “Deda” prek gjithçka që lidhet me skuadrën aktuale, por gjithashtu bën edhe krahasimin me ekipin kampion. Ai beson se ka ardhur koha për titullin e 10- të të Vllaznisë.

Çfarë ju bën përshtypje në këtë ecuri të skuadrës shkodrane?

Mendoj se është një ecuri shumë e mirë për 8 javë që janë luajtur. Më duket një ekip solid dhe harmonik. Një skuadër që ka ushtarë dhe jo gjeneralë. Pra, funksionojnë shumë mirë të gjithë së bashku.

Aktualisht skuadrën e drejton gjermani Tomas Brdariç. Keni një koment?

Normale që ai ka meritë të padiskutueshme, por nuk duhet të harrojmë se në krah ka emra që unë i kam pasur lojtarë kampionë, si Elvis Plori, Safet Osja dhe Ideal Lekiqi. Janë një vlerë e shtuar për këtë skuadër dhe për Brdariçin. Idetë e tij për një futboll të bukur i përshtaten mirë kësaj Vllaznie.

Tashmë hapet edhe merkatoja. Ku mendoni se duhet të forcohet Vllaznia?

Vllaznia ka nevojë për ndërhyrje vetëm në mesin e fushës. Kërkohet edhe një tip lojtari me tiparet që ka pasur Cungu, një ndërlidhës i lojës. Pavarësisht se në këtë pozicion nuk po çalon, unë gjykoj se i duhet të marrë një futbollist cilësor për këtë pozicion. Por, nëse Dunga nuk kthehet, atëherë bëhet e domosdoshme edhe ndërhyrja në sulm

Cili nga repartet ju bind më tepër?

Unë shikoj një mbrojtje të kompletuar, po ashtu edhe mesi i fushës nuk është se ka probleme, por një përforcim më tepër do t’i bënte mirë. Edhe një tjetër sulmues cilësor nuk është e tepërt. Gjithsesi, edhe me këtë përbërje skuadra ka forca për të pretenduar deri në fund.

E besoni se ka ardhur koha që në Shkodër të festohet titulli i 10-të?

Mendoj se po. Vllaznia është krejt ndryshe nga sezonet e tjera. Luan bukur futboll dhe kërkon përherë vetëm fitoren. Për më tepër ka një drejtim të mirë dhe shumë harmoni në ekip. Është Vllaznia më e mirë e këtyre viteve të fundit që ne kemi ndjekur. Ndryshimi pas ardhjes së sponsorit është i madh, prandaj mendoj se ka një skuadër të denjë për titull.

Thatë që kishit nga 10 mijë tifozë në stadium në kohën tuaj, por tani ata nuk e shikojnë dot prej pandemisë. Sa mund të ndikojë kjo?

Normalisht që në Shkodër tifozëria është një faktor i rëndësishëm, por në ndryshim nga koha ime, të them të drejtën në këto vitet e fundit shumë herë ka ndikuar jo për mirë. Ka pasur presion të madh mbi ekipin dhe kjo ka reflektuar në rezultate.

Të shtunën luajnë në Laç, aty ku fitorja e fundit e Vllaznisë është nën drejtimin tuaj…

Kam shumë besim se këtë herë do të fitojnë në Laç. Me këtë lojë që po bëjnë, nuk ka asgjë të pamundur.