Gara për të siguruar firmën e brazilianit Nejmar tashmë ka edhe një protagonist të tretë, Juventusin, që është gati të bëjë një çmenduri në merkato për firmën e tij. Mediat spanjolle kanë mësuar se aktualisht bardhezinjtë janë të vetmit që kanë një plan konkret për të bindur PSG që të lërë të lirë lojtarin.

Barcelona është skuadra që vetë Nejmar do, por katalanasit nuk manë mundësitë financiare për ta përballuar blerjen e tij. Huazimi me të drejtë blerje në fund të sezonit është opsion që PSG nuk preferon pasi do menjëherë shifra të rëndësishme për shitjen e tij, për të mbyllur telashet që ka me UEFA-n.

Burime në dijeni të negociatave kanë bërë të ditur për “AS” se Reali për momentin qëndron larg, duke pritur, pasi kërkesat e Leonardos janë të larta. Po i njëjti burim bëri të ditur se Fabio Paratiçi ka bërë të qartë se është gati të bëjë lëvizjen e tij. Sipas të përditshmes spanjolle, ajo që ai ka ofruar është “Dibala dhe shumë milionë”, sasi e paspecifikuar parash por mendohet mes 80 dhe 100 milionë eurove.

Juventusi është gati t’i sigurojë Nejmar rrogën aktuale që ka te PSG, 37 milionë euro neto në vit, ndërsa Ronaldo aktualisht përfiton 31 milionë euro neto. Gjithçka për të ndërtuar një superskuadër për të dominuar në Europë, të bindur se kështu do të mund të mbulojnë shpenzimet e çmendura që po bëjnë torinezët. /vipsport/