Ekipi i volejbollit të meshkujve të Vllaznisë ka arritur një tjetër fitore në kampionat edhe këtë javë duke vazhduar të ruajë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Ata kanë pritur sot pasdite në Shkodër ekipin e Elbasanit të cilin e kanë mundur në shifrat 3-0. Ndeshja nuk ka patur shumë histori. Miqtë vetëm në setin e tretë kanë rivalizuar duke shënuar 22 pikë ndërsa në dy setet e tjera kanë shënuar 16 dhe 20 përballë 25 pikëve të fitores së shënuara nga shkodranët. Kjo fitore sigurisht që shton moralin e Vllaznisë për ta mbajtur sa më gjatë vendin e dytë dhe pse jo për të synuar edhe të parin. Ndërsa meshkujt fitojnë, nuk ndodh e njëjta gjë me ekipin e femrave. Edhe ata kanë luajtur në Shkodër teksa kanë pritur Studentin por janë mundur 1-3. Në fakt, ndeshja ka qenë shumë e ekuilibruar. Vajzat shkodrane kanë fituar setin e parë në shifrat 25-21 por në të dytin nuk e kanë ruajtur këtë epërsi dhe e kanë humbur 20-25. Seti i tretë dhe i katërt kanë patur shumë rivalitet teksa kanë dhuruar rezultatet 23-25 dhe 24-26 për Studentin, çka tregon se fitorja ka qenë shumë pranë edhe Vllaznisë por në fakt kjo ka munguar. Edhe pas kësaj jave, ajo vazhdon të ruajë vendin e parafundit në renditje me vetëm një fitore të arritur deri tani.
www.shkodrasport.com