Trajneri i kombëtares U-21 Alban Bushi po mendon për listën e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjet miqësore që ky ekip ka së shpejti.

Fillimisht do të përballet me Bosnje-Hercegovinën më 28 maj në “Elbasan Arena” prej orës 19:00, ndërkohë që po në të njëjtin orar, më 5 dhe 8 qershor luan kundër Bjellorusisë.

EDS zbulon dy prej emrave që tekniku i Shpresave ka ftuar për të paktën dy takimet e qershorit. Të dy luajnë jashtë vendit.

Por kush janë ata që do të vëzhgohen me kujdes nga ana e stafit teknik të kuqezinjve?

Alban Bushi do t’i japë një mundësi Atdhe Rashitit, futbollist që është pjesë e moshave të Basel dhe luan si sulmues.

Nga Zvicra kalojmë në Belgjikë, ku fokusi është te mesfushori me origjinë shkodrane: Sebastjan Spahiu (Shpuza).

SEBASTJAN SPAHIU – Mesfushori 18-vjeçar i lindur ne Shkoder ka debutuar vjet në elitën e futbollit belg, ndërkohë që së fundmi ka nisur të marrë edhe më shumë minuta.

Spahiu është pjesë e Royal Excel Mouscron, skuadër më të cilën numëronte 15 minuta gjatë pjesës së sezonit të rregullt.

Me nisjen e ndeshjeve të fazës “play-off”, ku Mouscron tenton të sigurojë një vend në Europa League, mesfushori qendror ka luajtur në katër ndeshje, madje dy prej tyre i ka nisur si titullar.