Nisin zyrtarisht ne gociatat për një… president. Duke filluar nga sezoni tjetër, ndoshta Vllaznia mund të ketë një drejtues të ri. Alban Xhaferi është më shumë se interesuar për të qenë në krye të klubit, aq sa të mërkurën zhvilloi një takim kokë më kokë me kryebashkiaken Voltana Ademi. Biznesmeni shkodran, që mban njëherësh postin e presidentit të Shoqatës së Basketbollit “Vllaznia”, i ka shprehur hapur dëshirën për të marrë edhe drejtimin e klubit të futbollit.

NISJA E NEGOCIATAVE

Mbledhja mes palëve ka zgjatur rreth dy orë dhe mësohet se është diskutuar gjatë për mënyrën se si mund të marrë formë zyrtare privatizimi i klubit. Është vetë Alban Xhaferi që konfirmon takimin me kryetaren në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Ai qartëson se vullneti ekziston, mirëpo tashmë fjala e fundit i takon vetëm Bashkisë Shkodër (që është zotëruese e 100% të aksioneve).

“Po, kam pasur një tjetër takim me kryebashkiaken Voltana Ademi. Nuk është i pari, por nuk do të jetë as i fundit. Jemi takuar shpesh për të gjetur mundësinë e afrimit tim te Vllaznia. Bisedat kanë pasur frymë realisht pozitive, por gjithçka varet nga hapësirat që do të gjenden nga Bashkia Shkodër për të formalizuar këtë bashkëpunim”, tha fillimisht kandidati më potencial për të marrë drejtimin e kuqebluve.

FORMA LIGJORE

Nuk është shumë e qartë se si Alban Xhaferi mund të vijë në krye të Vllaznisë, e megjithatë planet e tij janë të qarta: kërkon që të marrë aksione. “Dëshira e të dyja palëve është e mirë, ndaj le të shpresojmë që bashkia të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Nuk bëhet fjalë për ta marrë në përdorim klubin apo për një privatizim të saj, pasi kjo kërkon kohë.

Por unë mendoj që të shikohet fillimisht mundësia për përfshirjen time si aksioner dhe më pas të diskutojmë dhe hedhim hapat shtuar për të tjerat. Nuk është diçka e lehtë edhe nga ana e Bashkisë Shkodër, pasi duhet gjetur fillimisht bazë ligjore që të bëhet një kalim i tillë. Por unë jam optimist. Ku ka dëshirë, mund të gjendet edhe zgjidhja.

Dhe kjo zgjidhje do të ishte në favor të klubit të futbollit Vllaznia dhe vetë Shkodrës. Vetëm kështu, të bashkuar, mund ta kthejmë Vllazninë tek ai nivel ku i takon. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën e mundshme”, përfundoi biznesmeni shkodran, duke konfirmuar projektin që ka për Vllazninë.

Alban Xhaferi pas një viti e gjysmë që drejton basketbollin, e ka shndërruar tërësisht atë. Nga një ekip që rrezikonte për të rënë nga kategoria, tashmë janë pretendentë për fitimin e trofeve. Iniciativa dhe kërkesa e tifozëve mund të japë fryte. Nëse gjithçka shkon mbarë, atëherë pas më shumë se 8 vitesh do të ketë një president në krye të klubit.