Jose Mourinho rikthehet në Serie A dhe gjithçka është zyrtare. Trajneri portugez, i cili u shkarkuar së fundmi nga Tottenham, ka pranuar ofertën e Romës.

Klubi italian ka njoftuar nënshkrimin e një marrëveshje deri më 30 qershor të vitit 2024. Mourinho do të nisë punë më 1 korriku, kur edhe Paolo Fonseca do të largohet nga drejtimi i ekipit.

Mourinho në Itali ka drejtuar në të shkuarën Interin, duke fituar në vitin 2010 titullin kampion, Kupën dhe Champions League.

Presidenti Dan Friedkin dhe zëvendëspresidenti Ryan Friedkin, pas zyrtarizimit thanë: “Jemi të entuziazmuar dhe të kënaqur që mirëpresim Jose Mourinhon në familjen e Romës. Një kampion i madh, i cili ka fituar trofe në çdo nivel.

Jose do të garantojë përvojë të jashtëzakonshme në projektin tonë ambicioz. Emërimi i Jose është një hap i madh në ndërtimin e një kulture fitimprurëse afatgjatë dhe të qëndrueshme në të gjithë klubin”.

Tani Mourinho do të ketë në urdhra edhe Marash Kumbullën, mbrojtësin e kombëtares shqiptare. Edhe Elseid Hysaj është lakuar si opsion për skuadrën e Romës, por me emërimin e portugezit duhet pritur se çfarë do të ndodhë. /abcnews/