Vllaznia sërish nuk do të jetë e plotë për takimin e dytë çerekfinal të kupës me Flamurtarin në Shkodër, ashtu si në ndeshjen e parë. Kjo ndeshje do të jetë një mundësi për disa nga lojtarët e stolit të Vllaznisë, që priten të luajnë nesër në kupë.

Shkodranët i kanë mbyllur sot përgatitjet anti-Flamurtari në fushën “Reshit Rusi”, ndërkohë që trajneri Brdariç ka përcaktuar tashmë edhe formacionin me të cilin do të luajë në këtë ndeshje. Në këtë takim, trajneri Brdariç dhe stafi i tij, kanë menduar që disa titullarë t’i lënë pushim në kupë.

Në portë pritet të jetë Zogoviç, ndërsa katërshja e mbrojtjes pritet të jetë e formuar nga Fangaj, Gurishta, Bulatoviç e Hakaj, ashtu si në ndeshjen e parë. Adili ka marrë leje nga klube për arsye familjare, kështu që ndaj Flamurtarit pritet që qendra e mbrojtjes të formohet nga Gurishta dhe Bulatoviç.

Në mesfushë do të jetë treshja e përbërë nga Heriç, Krymi dhe Mustedanagiç, ndërsa në sulm pritet të jenë Kruja e Gjurgjeviç në krahë dhe Aralica në maje.

Disa nga këta lojtarë pritet të kenë shansin që të tregojnë vlerat e tyre. Vllaznia do të luajë në këtë ndeshje me objektivin e qartë, për kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.
/Maringlen ZHIVANI /

Vllaznia (4-2-3-1)

Zogoviç

Fangaj Gurishta Bulatoviç Hakaj

Heriç Krymi

Kruja Mustedanagiç Gjurgjeviç

Aralica