Një skenar mjaft interesant hapet për të ardhmen e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare, Elseid Hysaj. Futbollisti ka humbur vendin e tij të titullarit te Napoli dhe duket se është në kërkim të një sistemimi të ri për karrierën, të cilin mund ta gjejë në Itali, te një prej skuadrave më të mëdha në këtë vend, Interi.

E përditshmja italiane “Tuttosport” ka shpjeguar sot në artikullin e saj se Marota dhe Auzilio kanë piketuar emrin e mbrojtësit shqiptar si zëvendësuesin më të mundshëm të Sime Vrsajlko. Nënkampioni i botës me Kroacinë nuk ka bindur në këto muaj të parë me zikaltërit, pasi ka shfaqur vazhdimisht probleme fizike dhe blerja për 17,5 milionë euro e kartonit të tij nga Atletiko Madrid në fund të sezonit nuk është më e sigurt.

Për këtë arsye po shihet me interes çdo alternativë e mundshme për krahun e djathtë. Objektivi i parë kishte qenë Darmian, por atë do ta rrëmbejë shumë shpejt Juventusi, ndaj janë kthyer sytë drejt Hysajt, i cili ka përfunduar në stol te Napoli. Klubi aktual i futbollistit të kombëtares i ka vënë një çmim të lartë kartonit të tij, 50 milionë euro, por De Laurentis me shumë siguri do të pranojë ulje vetëm për të hapur një linjë bisedimi me Suning, pasi deri tani napolitanët nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me klubin zikaltër.

Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se si do të rrjedhin ngjarjet, nëse ky është një interesim që mund të konkretizohet në janar, apo duhet pritur vera për të mësuar më shumë për të ardhmen e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare. /vipsport/