Miqësorja e dëshiruar për t’u zhvilluar këtë fundjavë nuk është realizuar për ekipin e Vllaznisë sepse nuk ka gjetur kundërshtarë, megjithatë për të mbajtur të karikuar lojtarët, stafi teknik ka gjetur një zgjidhje tjetër.

Pesë nga lojtarët e këtij ekipi ditën e dielë do të udhëtojnë drejt Pukës për të luajtur me “Vllaznia B” në ndeshjen e rradhës që ajo do të luajë ndaj Tërbunit.

Në pamje të parë mund të krijohet ideja që shkodranët duan “t’u prishin festën” pukjanëve sepse ata të dielën pritet të festojnë ngjitjen në kategorinë e parë.

Por në fakt objektivi i kuqebluve është tjetër gjë. Ata duan të mbajnë në tonus lojtarët e ekipit të parë për ndeshjen finale të kampionatit dhe ngaqë këtë fundjavë ekipi është pushim, pesë prej lojtarëve, aq sa lejon rregullorja, do të kalojnë tek ekipi B.

Përpos kësaj, “Vllaznia B” javën e kaluar mundin rivalin kryesor të Tërbunit, pikërisht ekipin e Gramshit duke “i bërë nder” pukjanëve dhe në fushë për të ishte edhe Gurishta apo ndonjë lojtar tjetër i ekipit të parë, por në fakt kuqeblutë nuk janë duke menduar për “ndere” dhe “prishje pune”, por po respektojnë kampionatin deri në fund dhe po ashtu, po mendojnë për veten sepse e duan titullin kampion të kategorisë së parë dhe prandaj po mbajnë futbollistët në formë.

Nëse Tërbuni i mund shkodranët, padyshim që ata do t’u shtrëngojnë dorën dhe do të marrin pjesë në festën e tyre ndërsa në rast të kundërt, ajo do të shtyhej për në javën e fundit.
© shkodrasport.com