Pas shumë momentesh të vështira, duket se edhe për Vllazninë e futbollit po vijnë lajme të mira. Presidenti i basketbollit Alban Xhaferi prej ditësh lakohet si një kandidaturë e mundshme për të marrë edhe drejtimin e klubit të futbollit.

Gazeta “Shkodra Sport” ka kontaktuar ditën e sotme me z. Xhaferi në lidhje me këtë çështje dhe ai në një prononcim ekskluziv për gazetën tonë është shprehur: “Po, është e vërtetë se kam shfaqur interes për të marrë klubin e futbollit Vllaznia. Një ide e iniciuar nga tifozët e kësaj skuadre të cilët më kanë ngacmuar herëpaherë për të investuar edhe tek futbolli.

Për momentin kaq mund të them. Nuk e di se çfarë do të ndodhë sepse tashmë çdo gjë është në dorën e Bashkisë Shkodër që është pronarja e klubit. Nëse ajo dëshiron bashkëpunim, mund të ulemi e të gjejmë gjuhën e përbashkët për mënyrën si do të bëhet ai.

Unë nuk jam i interesuar aspak që të jem administrator i klubit. Dëshiroj të shkojmë më tej por janë shumë gjëra për t’u diskutuar dhe sqaruar. Tashmë jam në pritje të asaj se çfarë do të ndodhë”.

Siç shikohet, vetë Xhaferi ende nuk ka asgjë të qartë se çfarë mund të ndodhë dhe si mund të bëhet ky bashkëpunim, por e rëndësishme është që ai ka shprehur dëshirën. E gjitha kjo ka ardhur pikësëpari nga kërkesa e shumë tifozëve të Vllaznisë të cilët i kanë kërkuar të investojë tek futbolli. Kuptohet që një kërkesë e tillë ka zgjuar interesin për ta marrë seriozisht një investim të tillë, megjithatë çdo gjë është në hapat e parë.

Koha për këtë gjë duket e favorshme sepse kampionati aktual po shkon drejt fundit dhe në rast akordi me Bashkinë Shkodër, mund të nisë puna dhe përgatitjet për sezonin e ri. Alban Xhaferi në një vit e gjysëm që drejton basketbollin ka dhënë shembullin më të mirë se mund ta bëjë si duhet detyrën e presidentit duke e marrë ekipin nga fundi i renditjes dhe duke e shndërruar atë në pretendent për fitimin e trofeve.

Dëshira e tifozëve është që kjo gjë të ndodhë edhe me futbollin, gjithnjë nëse mes Bashkisë Shkodër dhe këtij biznesmeni ka një akord . Në ditët në vijim me shumë mundësi mund të ketë më shumë informacion në lidhje me këtë çështje, por ajo që ka rëndësi në këtë periudhë është se më në fund ka edhe lajme të mira për futbollin.
© shkodrasport.com