Kukësi – Vllaznia ishte takimi i javës së 5-të që u mbyll me fitoren e kuksianëve në shifrat 2-0. Ndeshja u luajt në “Egantia Arena”, ku një nga të pranishmit në stadium ishte edhe ish-kapiteni i Vllaznisë dhe kapiteni aktual i Egnatias, Ndriçim Shtubina.

Mesfushori në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” flet për takimin e luajtur në Rrogozhinë, por edhe skuadrën e tij aktuale.

Shtubina tha: “Vllaznia për mua ka një ekip shumë të mirë, por sot nuk ishte në ditën e saj më të mirë. Sot pashë lojtar mendjemëdhenj në fushën e lojës. Lojtarë që i vlersojnë shumë, por në fushë nuk vlejnë edhe aq shumë sa thonë.

Vllaznia është e fortë në Shkodër sepse ka tifozat. Janë ata tifoza që japin një emocion të veçantë për të dhënë më të mirën. Vllaznia do vuajë jashtë nëse vazhdon kështu.

Egnatia? Kemi një ekip shumë të mirë dhe meritojmë më shumë pikë, por kështu është futbolli. Jam i sigurtë që do rritemi sepse kemi ekip me shumë përvojë. Këtu është një klub shumë profesionist ku punohet qetë. Jam me fat që jam kapiten i këtij ekipi”.
Endri ÇINARI