Elseid Hysaj është kthyer në të zakonshmin dhe po merr përsëri adhurimin e publikut napolitan. Shkodrani është një lojtarët që i përshtatet kërkesave të një trajneri si Gatuzo, me këtë të fundit, që është bindur me Hysajn dhe ka kërkuar rinovimin me 25-vjeçarin.

Ashtu siç ka theksuar edhe menaxheri i mbrojtësit, Mario Xhufredi, Hysaj ndihet më mirë pas ikjes së Ançelotit dhe ardhjes së ish-mesfushorit të Milanit.

Këtë fakt e pohon edhe vetë ylli i kombëtares sonë. Ai deklaron se Napoli i këtyre javëve ka shumë Gatuzo brenda dhe se ky i fundit e ka rregulluar situatën brenda skuadrës. Në fund foli pak edhe për ndeshjen e së hënës me Sampdorian.

“Ai po na jep shumë, para se Gatuzo të vinte Napoli kishte shumë probleme, si në dhomën e zhveshjes ashtu edhe jashtë tij. Kjo na bëri të humbim kohë. Tashmë me të jemi më të përqendruar.

Ka shumë Gatuzo në Napolin e sotëm, ai dëshiron të japim 110% në fushë dhe ne duhet të stërvitemi shumë. Me Sampdorian na duhen tre pikët dhe duhet të dëshmojmë se jemi Napoli. Duhet të fitojmë kundër të gjithëve”, u shpreh Hysaj për mediet italiane./vipsport/