Skuadra shkodrane pavarësisht humbjes ndaj Erzenit i ka të qarta objektivat saj për të ardhmen. Çdokush në kampin kuqeblu mendon për Superligën e sezonit të ardhshëm dhe duket se planet kanë filluar të bëhen për këtë gjë.

Ka qenë drejtori sportiv Engin Firat ai që ka zbuluar disa nga projektet e tij. I ftuar në emisionin “Fair Play”, ai është shprehur: “Synimi jonë është të jemi Vllaznia e vjetër dhe jo kjo Vllaznia e viteve të fundit. Po punoj në këto momente pikërisht për Superligën sepse nuk duhet të jemi kalimtarë aty.

Sezonin tjetër do të mundohemi të jemi rivalizues me ekipet pretendente dhe për të synuar Europën. Prandaj jam i detyruar dhe njëkohësisht e bëj me dëshirë ndjekjen e të gjitha ndeshjeve të Superligës së sivjetme, gjithashtu duke parë edhe lojtarët që mund të jenë të përshtatshëm për skuadrën tonë”.

I pyetur ndërkohë si ka qenë eksperienca e tij deri tani në Shqipëri, Firat ka shtuar: “Për mua deri tani është një eksperiencë shumë interesante. I njoh përgjithësisht lojtarët shqiptarë më shumë nga Gjermania pikërisht futbollistë të tillë si Ervin Skela, Rudi Vata, Fatmir Vata etj dhe do të pretendoja që në Shqipërisë të kishte më shumë futboll teknik, por jam duke parë që është një futboll më shumë fizik, ka më shumë përplasje.

Dua të them se futbolli shqiptar është pak i varfër nga pikëpamja kreative.Prandaj mendoj se duhet të ketë ndryshime në mënyrën e lojës, sidomos në mesin e fushës në mënyrë që të mos synohet vetëm rezultati, por edhe kreativiteti i lojës”.

Ndërkohë Firat i pyetur për lojtarët e rinj dhe Akademisë, është shfaqur disi kritik për mënyrën si punohet me moshat në Shqipëri.”Shoh që produkti i dalë nga Akademitë në Shqipëri nuk është aq produktiv sa duhet. Ju keni 1 milionë shqiptarë që janë në Greqi dhe Itali si dhe 1 milionë shqiptarë që janë këtu.

Si ka mundësi që produkti i cili vjen nga këto dy vende për ekipet kombëtare është më i mirë se ai që rritet në Shqipëri? Akademitë këtu të gjitha synojnë tek rezultati dhe jo tek performanca. Marrim shembullin e trajnerit të kombëtares U17 i cili është një shkodran (shënim: Elvin Beqiri), ai ka marrë në ekip disa lojtarë nga Vllaznia dhe jo të gjithë, çka do të thotë se nuk sheh shumë lojtarë cilësorë aty. Për mua nuk vlejnë trofetë e fituara por sa elementë cilësorë do nxjerrim”- është shprehur ai.
© shkodrasport.com