Në rradhët e Akademisë Vllaznia janë jo pak lojtarë që spikasin me të dhënat dhe paraqitjet e tyre. Natyrisht që kanë ende shumë për të bërë në mënyrë që të jenë futbollistë të talentuar që t’i shërbejnë ekipit të parë të Vllaznisë dhe pse jo, edhe ekipeve kombëtare. Sot do të ndalemi tek një element shumë interesat. Bëhet fjalë për Ersi Zaganjorin. Ai nuk i ka mbushur ende 13 vjeç por po spikat me lojërat e tij në ekipit që drejtohet nga trajneri Albert Kaçi.

Në kampionatet e mëparshme të moshave ka marrë edhe vlerësimin si sportisti më i mirë për grupmoshën e tij. Jo vetëm kaq.  Ai ka rënë në sy pak muaj më parë edhe në një turne në Barcelonë ku ka marrë pjesë. Kemi të bëjmë me një mesfushor qendre që luan mirë me të dy këmbët. Specialistët flasin për një lojtar me të ardhme, shumë teknik, goditës i mirë i portës. Por nga ana tjetër, njerëzit që merren me trajnim janë të mendimit se këto të dhëna të mira që ka ky djalosh nuk vlejnë asgjë nëse ai nuk vazhdon të përkushtohet maksimalisht në stërvitje. Padyshim puna sistematike në stërvitje, ulja e kokës dhe dëgjimi i këshillave të trajnerëve, do të jenë elementët që mund ta bëjnë Zaganjorin një futbollist me një të ardhme të garantuar. Megjithatë, specialistët e përsërisin: Mos u ngutni! Për momentin lojtari nuk ka nevojë për reklamë por për punë. Dhe ne në fakt po e lëmë me kaq. Që Ersi të vazhdojë të punojë dhe mund të takohemi sërish… pas disa viteve.
© shkodrasport.com