Vllaznia dhe Kastrioti kanë mbyllur takimin mes tyre në Shkodër me shifrat 1-0. Ndeshja e vlefshme për javën e 5 të Kategorisë Superiore ka rikthyer entuziazmin përsëri në kampin kuqeblu. Reagimi i duhur për atë çka trajeri Josa ka kërkuar gjatë kësaj jave.

Esat Mala për Over Sport:

“Dihet që skuadra bën një paraqitje shumë të mirë në shtëpi. Normalisht në transfertë nuk është se kemi treguar atë që duhet, por punojmë vazhdimisht nga gjendja psikologjike që edhe në transfertë të luajmë njëlloj si në shtëpi.

Pas asaj humbje me Egnatian, normalisht që na vjen shumë mirë dhe jemi shumë të gëzuar që skuadra reagoi, kishim punuar që të ishim të kujdesshëm dhe të ishim më të vëmendshëm për çdo top dhe çdo gjë. Goli doli shumë shpejt dhe u përpoqëm të ishim të kujdesshëm gjatë gjithë lojës, tre pikët ishin të rëndësishme dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë grintë.

Nuk mund të them se ndaj Egnatias kishim nënvlerësim, se e njohim dhe janë lojtarë që kanë luajtur shumë kohë në Superiore. Por ndodhi nga një pakujdesi e jona dhe jo nënvlerësim, shpresoj të mos ndodhë më ajo dhe të ndodhë si sot, me tre pikë në vazhdim.

Ky pushim ka edhe të mirat, edhe të këqijat. Të mirat janë që rikuperojmë energjitë që kemi humbur gjatë javëve. Por e keqja është që humbim edhe ritmin. Por besoj se do të bëjmë mirë se do të rikuperojmë lojtarë që na kanë munguar dhe do të punojmë më shumë në aspektin fizik dhe taktik.

Besoj se është ende fillimi për mua, sapo po marr veten në aspektin fizik. Besoj se kam ardhur në formë relativisht të mirë, kam ende mundësi përmirësimi, po pres që të rritem fizikisht dhe besoj se do të ketë më shumë si nga unë, ashtu edhe të gjithë çunat.

Normalisht java derbi ndiqet nga e gjithë Shqipëria dhe i uroj sukses normalisht ish-skuadrës time, Partizanit. I uroj sukses në derbin se me vitet që kam kaluar aty i uroj të dalin sa më mrië. Pastaj në ndeshje të tjera të shohim. Barazimi për ne do të ishte i mirë, por pastaj derbi është derbi, nuk i dihet. Mbetet të shihet, ne jemi vetëm spektatorë në derbi”, tha Mala.i”.