Skuadra që fiton, nuk ndryshohet. Është një nga rregullat e pashkruar të futbollit dhe që te Dinamo e kanë respektuar këto dy ndeshjet e fundit. Eni Imami ka kohë që e ka kaluar dëmtimin, por nuk është aktivizuar nga trajneri në formacion.

Nevil Dede i ka qëndruar besnik 11-shes që ka mundur Besëlidhjen dhe Apoloninë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kapitenin Sabien Lilaj, i cili ka pasur shqetësime të lehta fizike, por mund të luante. Megjithatë, edhe ai ka qëndruar në stol për faktin e thjeshtë se skuadra ka ecur mirë dhe ka marrë rezultatin e dëshiruar. Ndoshta kështu mund të ndodhë edhe me Flamurtarin të hënën, edhe pse ky kundërshtar kërkon pak më shumë eksperiencë në fushë dhe dy lojtarët e përmendur më lart e kanë atë.

ALLMUÇA – Kryeqytetasit do të tentojnë fitoren e radhës në shtëpi, ndonëse këtë herë do të kenë kundërshtarë më të fortë se Oriku, Burrelin dhe Besëlidhjen. Ilir Allmuça kërkon vazhdimësi dhe beson se kjo do të ndodhë, pasi skuadra po pëson rritje.

“Rezultatet flasin vetë. Fakti që jemi në vend të parë, nuk ka si të mos na gëzojë. Por, nuk ka vend për eufori. Më tepër më gëzon fakti që Dinamo po tregon rritje nga ndeshja në ndeshje dhe mendoj se më e mira akoma nuk ka ardhur”, thekson mbrojtësi për “Panorama Sport”.

Lojtari i krahut të majtë, ndalet më konkretisht te sfida me vlonjatët.

“Për ne është një ndeshje mjaft e rëndësishme. Vijmë pas fitores me Apoloninë dhe kemi moralin e duhur për një përballje të tillë. Po përgatitemi maksimalisht gjatë kësaj jave dhe kuptohet që objektivi ynë i vetëm është fitorja. Nuk duam të bëjmë asnjë hap fals në fushën tonë, nuk duam të lëmë asnjë pikë. Ne jemi Dinamo dhe futemi në çdo ndeshje për 3 pikët. Këtë herë ndoshta ka më shumë motivim dhe besoj se do të jetë një ndeshje e bukur. Përballen dy ekipe me emër në futbollin shqiptar. Dinamo-Flamurtari është një sfidë tradite, që duam ta kalojmë me sukses. Dua të ftoj të gjithë tifozët dinamovitë të na mbështesin dhe në fund të festojmë së bashku”, përfundoi Allmuça.