Rudi Vata, personalitet i njohur i fushës së futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, prej vitit 2010 është përfshirë në një betejë ligjore për të gjetur drejtësi.

Ish-kapiteni i Kombëtares ka investuar në vitin 2007 rreth 167 mijë euro në ndërtimin e qendrës tregtare në Shkodër “Bixhisteni”. Ai ka paguar në vitin 2007 dhe duhet të merrte në vitin 2010 tapitë e 5 dyqaneve të vogla në qendrën tregtare të Shkodrës, “Bixhisteni”.

Mësohet se pas vrasjes së ndërtuesit shkodran, Astrit Meshnuni, mes familjes së Rudi Vatës dhe bashkëshortes së biznesmenit kanë nisur konfliktet.

Edhe pse çështja ishte e qartë dhe e sqaruar në dokumentet noteriale, mësohet se bashkëshortja e Astrit Meshnunit, Pranvera Meshnuni, prej vitesh refuzon t’i japë certifikatat e pronësisë familjes së Rudi Vatës.

Mësohet se konflikti ka nisur pas pretendimit të Pranvera Meshnuni se familja Vata duhet t’i paguante edhe 50 mijë euro shtesë, pasi dyqanet që ishin porositur nga Rudi Vata në vitin 2007, ishin me sipërfaqe më të mëdha se realiteti.

Por pas viteve ankimime në Zyrën e Kadastrës dhe padisë në Prokurorinë e Shkodrës, familja Vata ka mundur t’i rikthejë dokumentet e pronësisë në metrat realë që kanë dyqanet e blera prej tyre në qendrën “Bixhisten”.

Por zvarritja ka vijuar pasi çështja ka shkuar në Gjykatën e Shkodrës, e cila i ka dhënë të drejtë familjes Vata, madje ka pranuar dhe kërkesën e tyre për një dëmshpërblim prej 50 mijë eurosh nga pala e paditur, Pranvera Meshnuni.

Nga vitit 2018 kur u shpreh Gjykata e Shkodrës, çështja e familjes Vata vazhdon të jetë në pritje në dyer të Gjykatës së Apelit

DËMI EKONOMIK

Gazeta “Panorama” ka hulumtuar pranë qendrës tregtare “Bexhisten” dhe ka zbuluar se dyqanet e blera nga ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, kanë përfunduar si mos më keq. Mësohet se disa prej dyqaneve të blera prej tij janë zaptuar nga një kompani private, e cila është lejuar nga pronarja me letra e qendrës, Pranvera Meshnuni.

Mësohet se familja e ishlojtarit të Celtic, gjithë këto vite pritje nuk ka mundur t’i shfrytëzojë pronat e blera prej tyre. Madje, një prej objekteve është ndërruar në banesë për një të pastrehë.

Gazeta ka siguruar pamjet nga brenda dyqanit të blerë nga Rudi Vata, ku siç shihet në foto, ambientet që do shfrytëzoheshin për biznes kanë përfunduar në strehë të paligjshme për të pastrehët.

Mësohet se pala e paditur, Pranevera Meshnuni, i është drejtuar Gjykatës së Apelit dhe kjo e fundit pritet të shprehet në mënyrë përfundimtare javët në vijim.

Dyqani i blere nga Rudi Vata, i zaptuar nga te pastrehe qe e kane shnderruar ne banese.

Por, ambientet e paguara prej ish-futbollistit të njohur kanë përfunduar si mos më keq, pas plot 12 vitesh pritjeje, pingpongut të institucioneve dhe zvarritjes së pafundme të institucioneve të drejtësisë shqiptare. Lind pyetja: a do bëhet ndonjëherë drejtësi?!