Mesfushori shkodran, Florind Bardulla pas një shkëputje thuajse njëvjeçarë për arsye të dëmtimit në kaviljen e këmbës së majtë, të shtunën në përballjen ndaj Korabit është aktivizuar si titullar. Për të ishte një rikthim mjaft pozitiv. Kjo jo vetëm që arriti që skuadra të merrte një tjetër fitore, por Bardulla falë edhe cilësive të tij të mira teknike arriti që të fitonte edhe një 11-të metërsh, i cili nuk u realizua nga ana e mbrojtësit Ignat.

Paraqitja e mefushorit në këtë takim u vlerësua edhe nga ana e stafit teknik që nuk ngurroi që ta përgëzonte lojtarin në fundin e takimit. “Për mua ishte diçka e bukur që u ktheva pas shumë kohësh në fushë. Jam aktivizuar për disa minuta dhe në ndeshjen ndaj Erzenit, por kur e nis si titullar është diçka më ndryshe. Kam patur jo pak probleme me dëmtimet, por shpresoj që tani t’i kem kaluar”- u shpreh mesfushori.

Kënaqësia
Pavarësisht se nuk ka qenë në fushën e lojës Bardulla ka qenë përgjatë gjithë këtij sezoni shumë afër ekipit dhe stafit teknik, duke përjetuar takim pas takimi ankhet e rikthimit të kësaj skadre në superligë. Për të nuk ka qenë e lehtë pasi dëshira ka qenë e madhe për të kontribuar, por gjithsesi ai i është kënaqur pa masë arritjes së ekipit.

“Normalisht që kur nuk je pjesë e ekipit për të kontribuar në këtë arritje të rikthimit në Superligë, ndihesh jo mirë. Por gjithsesi sëbashku me shokët kam shijuar çdo sukses deri në atë të rikthimit përfundimtar në Superligë. Mendoj se ne e merituam që në fillim.

Jam ndjere po aq i kënaqur sa të kisha qenë vetë, pasi për ne ishte një përgjegjësi e madhe rikthimi pasi nuk kishim asnjë justifikim nëse një gjë e tillë nuk do të ishte arritur. I falenderoj gjithë shokët për atë që treguan në këtë sezon,”- vijoi Bardulla.

E ardhmja
Tani të gjihë kanë filluar që të mendojnë për të ardhmen. Një gjë të tillë po bën edhe Bardulla i cili shpreson që në sezonin e ri të jetë i pranishëm për të kontribuar për Vllazninë. E për më tepër për të kontribuar për këtë skuadër për të qenë në elitën e futbollit shqiptarë. “Shpresoj dhe besoj se në sezonin e ri të jap kontributin tim për këtë skuadër.

Besoj se Vllaznia do të jetë kompetitive në sezonin e dhe të gjithë presim që rikthmimi të jetë i fuqishëm dhe për më tepër të jemi një skuadër kompetitive dhe të jemi konkurrent për vendet e nderit. Shpresoj se do të punohet mirë për këtë drejtim,”- deklaroj mesfushori shkodran Florind Bardulla.
© shkodrasport.com