Federata Shqiptare e Çiklizmit do të organizojë javën e ardhshme edicionin e rradhës të kupës ”Agim Tafili. Kupa e përvitshme që zhvillohet në nderim të legjendës së këtij sporti, këtë vit ka një ndryshim sepse nuk do të zhvillohet në një ditë siç ka ndodhur deri më tani por në dy të tilla. Fillimisht, ditën e parë, do të zhvillohet etapa e parë, ajo Tiranë- Shkodër ndërsa një ditë më pas, do të jetë etapa e dytë dhe e fundit, ajo Shkodër- Pukë. Drejtuesit e Federatës kanë vendosur që edhe këtë edicion, ai të zhvillohet pikërisht në ditën e lindjes së këtij kampioni.

Sipas njoftimit të dhënë nga presidenti i Federatës Skënder Anxhaku, në kupën ”Agim Tafili” do të marrin pjesë çiklistë të 11 ekipeve të vendit të cilët do të konkurrojnë në dy kategori, atë junior dhe atë senior. Kuptohet që në mes të pjesmarrësve, janë edhe sportistët e ekipit të Vllaznisë të cilët kanë kohë që përgatiten për këtë garë. Nën drejtimin e trajnerit Leonat Kola, çiklistët shkodranë kanë pretendimet e  tyre edhe në këtë garë për të qenë të suksesshëm, ashtu siç kanë qenë në gjithë garat e zhvilluara deri tani këtë vit. Mbi të gjitha, ajo që ka rëndësi është nderimi i figurës së Agim Tafilit edhe pas katër vitesh të ndarjes së tij nga jeta dhe ai kuptohet që e meriron sepse me sukseset e tij, ka shkruar historinë e këtij sporti në Shqipëri dhe Federata Shqiptare e Çiklizmit po e bën në mënyrën e duhur duke organizuar vit pas viti kupën me emrin e tij. Dhe natyrisht që përkah duhet të ketë edhe Bashkinë Shkodër dhe klubin Vllaznia sepse njeriu për të cilin organizohet kjo kupë, ka qenë një vlerë e madhe e këtij qyteti dhe e këtij klubi.

© shkodrasport.com