Vllaznia ka hedhur një hap të madh drejt titullit të nëntë radhazi kampion në futbollin e femrave në Shqipëri. Shkodranet konfirmohen si superfuqi absolute, teksa në ndeshjet e javës së 16- të kanë likuiduar me “poker” Apoloninë, rivalen më të afërt në klasifikim.

Një ndeshje që tregoi edhe hendekun e madh që ekziston ndërmjet vajzave kuqeblu me skuadrat e tjera të kampionatit. Për sa i preket takimit, Vllaznia e gjeti avantazhin me anë të Berishës, e cila i zhbllokoi shifrat pas një situate të krijuar nga një goditje këndore në të 28-ën.

Në pjesën e dytë ishte Franja, ajo që e dërgoi epërsinë në 2-0, teksa u koordinuar bukur fluturimthi në zonë, për ta çuar topin në cepin e portës në të 57-ën. Nuk mund të mungonte as perla e Megi Doçit, e cila me një gjuajtje direkt nga këndorja realizoi golin e tretë për Vllazninë në minutën e 68-të.

Tre minuta më vonë, Lufo kompletoi triumfin 4-0, teksa finalizoi saktë një aksion të rrjedhshëm, duke kërcyer më tepër se portierja Hyska, për ta dërguar topin me kokë në rrjetë, me fieraket që pretenduan për faull ndaj portieres.

Kështu, gjithçka u mbyll me fitoren e thellë të Vllaznisë, teksa vajzat kuqeblu festuan në fushën “Reshit Rusi”. Tashmë shkodranet e trajnerit Nikolin Leka i ndan vetëm matematika nga titulli.

Ndërkohë, për sa u përket ndeshjeve të tjera, Murlani shpartalloi Lushnjën 8-0. Protagonistet e golave për ekipin verior ishin Gjergji, Luiz Kabral, Tanushi, Ferreira dos Santos (tripletë) dhe Vasa (dopietë).

Kinostudioja regjistroi një fitore me “poker”, teksa mposhti skuadrën Tirana AS në shifrat 0-4. Kuim, Baftia (dopietë) dhe Lulaj, ishin autoret e golave për skuadrën e trajnerit Gëzim Gjonpalaj.

Teuta mposhti Skënderbeun në transfertë me rezultatin 1- 4. Bushi, Delilaj dhe Zotkaj i dhanë avantazhin e trefishtë brenda 20 minutave bregdetareve, ndërsa Potomi ngushtoi për korçaret. Në fund ishte Puca, ajo që kompletoi suksesin e mikeve.

Me derbin e sotëm Partizani-Tirana do të mbyllen edhe sfidat e javës së 16-të.