Skuadra shkodrane mbyll nesër javën e tretë të pushimeve por ndërkohë ende nuk është e qartë se kur do t’i rikthehet stërvitjes. Trajneri Armando Cungu nuk e ka të qartë se kur do të nisë puna sepse ende nuk ka zhvilluar analizën me drejtuesit e lartë të klubit të cilët do të japin edhe garancinë për vazhdimin e punës dhe për të detajuar më pas se ku do të zhvillohet faza përgatitore, cila do të jetë përbërja etj.

Përderisa as vetë trajneri për momentin nuk është në gjendje të thotë asgjë për vazhdimësinë, llogarit pastaj futbollistët. Ata janë në pritje të një telefonate nga drejtuesit e klubit. Pikësëpari për t’i lajmëruar se kur duhet të paraqiten në stërvitje sepse faktikisht ata kanë mbetur “peng” ngaqë nuk mund të llogarisin as pushimet ashtu si duhet. Së dyti, futbaollistët kuqeblu janë në pritje të një telefonate të drejtuesve edhe për të biseduar për çështjet e kontratave sepse disa prej tyre kanë klauzola në to, për të cilat duhet të negociojnë në mënyrë që të vendosin për vazhdimësinë. Në këtë mënyrë, gjërat tek Vllaznia janë ende pezull dhe nuk dihet saktësisht se kur do të marrin zgjidhje.

www.shkodrasport.com