Vllaznia u është kthyer këtë javë fitoreve dhe më në fund duket se ka kthyer buzëqeshjen në Shkodër pas ngjarjeve të kronikës së ditëve të kaluara.

Kapiteni i kuqebluve, Gilman Lika, pranoi në “Sport News Plus” se tashmë ekipi është mësuar me ngjarjet, por ndërkohë insiston se të paktën suksesi ndaj Luftëtarit ka kthyer disi normalitetin.

“Nuk është hera e parë që ndodhin këto gjëra, jemi mësuar me këtë situatë. Por jemi futbollistë e duhet të jemi të përqendruar te rezultati. Na vjen keq të gjithëve por është realitet i hidhur e shpresojmë të ndryshojë sa më shpejt, është në dëm të të gjithëve, jo vetëm të Shkodrës.

Të them të drejtën na u kthye një qetësi se kaluam 2 rezultate në kampionat që nuk ishin të mirë për ne. Ekipi u fut në ngërç të vogël psikologjik dhe kjo ndeshje na dha qetësi, pavarësisht se rezultati është 4-0.

Por realiteti nuk e tregon fitoren që kemi bërë, ishte ndeshje e vështirë, në fund u hap ndeshja. Por shpresoj që të na shërbejë si një arsye më shumë për vazhdimësinë”, tha Lika. /vipsport/