Shqiptarët vazhdojnë të shfaqen çdo ditë e më shumë si protagonistë tashmë në sporte të ndryshme në mbarë botën. Ata po shkëlqejnë në disiplina të ndryshme sportive dhe rasti më i fundit është ai i një gjimnasteje të re. Kështu, bëhet fjalë për tropojanen e lindur në Shkodër, Victoria Progni.
Gazeta “Shkodra Sport” mëson se në garat e zhvilluara gjatë këtyre ditëve në Itali, ajo është shpallur kampione në gjimnastikën artistike për Kategorinë LB3 A4. Po ashtu, Progni ka zënë vendin e tretë në të gjithë Italinë për gjimnastikë në një garë tjetër që u zhvillua pak ditë më parë.
Në fakt, kuptohet që potencialet e saj janë shumë më të mëdha dhe në garat e ardhshme sigurisht që do të synojë për më lart, ku natyrisht që objektivi i rradhës do të jetë titulli kampion në vendin fqinj.
Megjithatë, rezultatet e arritura në garat e fundit të zhvilluara në Itali, janë një sukses i veçantë për këtë sportiste, e cila e ka filluar mbarë karrierën e saj dhe me siguri që ka për të shkuar shumë larg, në bazë të këtyre arritjeve deri më tani.
Victoria ka mbështetjen e të gjithë familjes Progni nga Tropoja, e cila është kudo pranë saj dhe si rrjedhojë, në të ardhmen, padyshim që do të kenë momente të tjera për të festuar arritje edhe më të larta./SHKODRA-SPORT.COM/