Berat Gjimshiti është kthyer përsëri në fushën e lojës si titullar në një ndeshje zyrtare pas dy muajsh nga hera e fundit kur e bënte një gjë të tillë me Atalantën.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, për shkak të dëmtimeve, nuk ka kaluar një sezon të rregullt me bergamaskët e si rrjedhojë ka humbur kohët e fundit vendin e tij në formacion.

Por trajneri Gasperini, vendosi t’i besonte përsëri si titullar në duelin ndaj Specias ku Atalanta fitoi me shifrat 5-2.

Gjimshiti luajti rregullisht të 90 minutat, duke bërë një paraqitje të mirë në këtë sfidë që siguroi kalimin në turin tjetër të skuadrës e cila në çerekfinale do të përballet me Interin.

Ndërkohë, në mediat italiane vazhdon të përflitet për një transferim të mundshëm të Gjimshitit te Monza, me klubin e Berluskonit që kërkon përforcime cilësore për prapavijën.

Një alternativë që mund të jetë interesante për mbrojtësin nëse kërkon të aktivizohet më me rregullsi.