Gugash Magani tashmë është zyrtarisht trajneri i Lushnjes. Prej ditësh palët kanë arritur marrëveshjen por tani është hedhur e zeza mbi të bardhë. Tekniku është prezantuar në zyrat e klubit nga kryetarja e Bashkisë, Eriselda Sefa, e cila është njëkohësisht edhe president e skuadrës.

Pas hedhjes së firmës në kontratë, Magani ka folur për mediat ku tregon objektivat e skuadrës.

“Presidentja e klubit më ka kontaktuar edhe herë të tjera, ndihem i privilegjuar. Për mua është një farë vlerësimi që jam këtu, për mua Lushnja është një skuadër si të gjitha ekipet e Superiores, ka histori ka traditë. Kam firmosur një kontratë 1+1, nëse të dyja palët do të jenë të kënaqur atëherë mund të vazhdoj dhe sezonin e ardhshëm.”

Merkatoja? Duhet të jemi të kujdesshëm në zgjedhje. Kush lojtar ka kontribuar dhe ka bërë histori me Lushnjen do të jenë pjesë e projektit tim. Padyshim që do të punojmë për të përforcuar skuadrën.

Objektivat? Po ti referohemi viteve të fundit, Lushnja ka luajtur për mbijetesë. Unë nuk e kam në karakter të luajë për mbijetesë. Natyrisht do të punojmë që të jemi në unitet dhe të jemi për në Superiore, objektivi më i realizueshëm është vendi i katërt, por me punë mund të arrijmë gjithçka.

Endrien Magani? Kur fola pak më parë për lojtarët lushnjarë, unë mendoj se Endrieni është pjesë e Lushnjes pasi ka kontribuar për shumë vite. Nuk do ishte normale, që të vinte babai dhe ta hiqte nga skuadra. Endri do t’i nënshtrohet të gjitha rregullave, dhe nëse e meriton do të jetë në fushën e lojës”, tha Magani.