Sulmuesi i njohur shkodran Hamdi Salihi që luan për Rapidin e Vjenës ka shënuar plot tre gola në ndeshjen e djeshme të vlefshme për Kupën e Austrisë. Ai ka kontribuar kështu në fitoren e Rapidit me rezultatin 4-1 ndaj skuadrës Bad Voslau.

Ai ka shënuar golin e parë në minutën e 10-të, më pas një të dytë me 11-metërsh dhe të tretin në minutën e 71-të. Golat për Rapidin janë plotësuar nga një tjetër shqiptar pikërisht Atdhe Nuhiu që luan po me këtë skuadër. Tre golat e Salihit në këtë ndeshje tregojnë edhe njëherë tjetër se ai vazhdon të mbetet një nga shënuesit më të mirë jo vetëm të Rapidit por edhe të futbollit austriak në këto vitet e fundit.