Partizani dështoi edhe një herë të fitonte Kupën e Shqipërisë. Për të gjetur herën e fundit kur të kuqtë janë shpallur fitues të këtij kompeticioni duhet të kthehemi shumë kohë pas, plot 19 vite, në sezonin 2003-2004.

Në atë edicion të kuqtë shkonin në finale dhe fitonin me rrjetën e Henri Ndrekës. Gjiganti i qendrës së mbrojtjes shënonte golin e vetëm të asaj finaleje dhe prej asaj dite mbetet shënuesi i fundit i Partizanit në një finale Kupe.Të kuqtë nuk e kanë prekur më kurrë finalen nga atëherë.

Nisur nga kjo, “Panorama Sport” vendosi ta kontaktonte Ndrekën, i cili prej më shumë se dy vitesh e ka mbyllur me futbollin dhe është mënjanuar nga skena e këtij sporti në vendin tonë. Kërkesës për të folur për Partizanin, Ndreka iu përgjigj plot ndjenjë: “Më thuaj, se unë fanellën e Partizanit e kam të veshur në trup si kanotierën, që e veshin njerëzit përditë. Aty jam rritur dhe jam bërë futbollist”.

Në rrëfimin e tij, 39-vjeçari kthehet pas në kohë dhe kujton golin e shënuar, teksa nuk heziton të kritikojë futbollistët e sotëm, që sipas tij, nuk mendojnë shumë për futbollin dhe nuk kanë sedrën e dikurshme.

“Më vjen keq ta them, por është si nata me ditën. Tani janë lojtarë që luajnë me flokët me xhel. Në kohën time mendonim më së shumti për futbollin. Kishte lojtarë me sedër dhe mezi prisnim të na jepej mundësia për të dhënë shpirtin në fushë.

Shumë djem të rinj që në atë kohë luanim në Kategorinë Superiore, kemi luajtur edhe jashtë vendit, kurse tani çdo ditë e më shumë po ulet numri i futbollistëve që dalin nga Shqipëria dhe bëhen të rëndësishëm në ekipe në Europë. Nëse fiton provën dhe transferohesh jashtë je në rrugën e duhur. Po qëndrove në Shqipëri, je futbollist amator”- eshte shprehur lezhjani Ndreka.