Në shumë raste, rezulati i ndeshjes nuk përligj atë çfarë skuadrat prodhojnë në fushën e lojës. Për rrjedhojë, edhe humbja e mbrëmshme e Vllaznia U19 ndaj Astanës në shifrat 4-0, nuk është një rezutat real. Kundërshtari ka shkuar në portën e kuqebluve 6-7 herë dhe ka shënuar 4 gola.

Ndërkohë vendasit kanë krijuar 6-7 raste dhe nuk kanë shënuar asnjë gol. Jo vetëm kaq. Në 30 minutat e para të pjesës së parë, Vllaznia U19 e ka dominuar lojën. Po ashtu edhe në 10-15 minutat e pjesës së dytë, por këto nuk kanë mjaftuar.

Astana u shfaq si një ekip vërtetë profesionist dhe futbollistët e saj luanin me një taktikë të caktuar ndërkohë që shkodranët thjesht luanin me dëshirë. Kjo e kushtëzuar edhe nga ideja për të dhënë më të mirën në fushën e lojës ngaqë në shkallët e stadiumit kishin ardhur shumë tifozë për t’i parë.

Kjo ishte diferenca e madhe e dy ekipeve në këtë ndeshje, çka rikonfirmoi edhe njëherë faktin se futbolli shqiptar ka probleme në aspektin taktik. Këtë nuk e pamë vetëm tek Vllaznia mbrëmë, po e shohim edhe tek gjithë ekipet kombëtare të moshave.

Vërtetë të rinjtë e Vllaznisë mund të jenë më të mirët në Shqipëri, por për t’u matur me Europën duhet punuar shumë herë më tepër. Por edhe për të kaluar tek ekipi i parë i Vllaznisë duhet punuar shumë më shumë sepse nuk mund të pretendosh një vend aty nëse nuk bën diferencën me moshën tëndë. Dhe mbrëmë nuk pamë askënd duke bërë diferencën.
www.shkodrasport.com