‘Kjo Vllazni nuk bind”, është ky mendimi i Hysen Zmijanit, një prej emrave më të shquar të futbollit shkodran. Në një intervistë të tij, ai ka analizuar me detaje lojën e ekipit në dy ndeshjet e para dhe ka nxjerrë në dukje gabimet. Legjenda komenton të gjitha repartet, por nuk nguron që t’i japë edhe këshilla Duros. Për Zmijanin e ardhmja nuk është e zbehtë, por që të kërkohet një gjë e tillë, duket të kalohen me sukses dy ndeshjet e radhës, ajo me Luftëtarin dhe Apoloninë.
Zmijani, si e shikoni këtë start të Vllaznisë?

Natyrisht që nuk është një start i mbarë. Një pikë në dy takime janë shumë pak. Megjithatë, unë nuk dua të ndalem te pikët, pasi të humbësh me kampionët nuk është fund i botës. Por te loja e zhvilluar, e cila ka lënë shumë për të dëshiruar. Një paraqitje apatike dhe pa fantazi, kjo po që më merakos.
Ku çalon pikërisht kjo skuadër?
Mund të them se mesfusha, prej së cilës prisja më tepër, nisur nga emrat, duhet të bëjë më tepër. Deliç është një lojtar me vlera, por mesa duket pa ndonjë përgatitje të mirë. Dragoi po tregon vlera të mira, por që duhet të tregohet më i qartë dhe më i qetë para portës. Ndërsa pjesa tjetër ende nuk po gjen lidhjen që duhet, dhe kjo është një minus deri tani.
Po repartet e tjera?
Nuk di çfarë të them për sulmin. Kam shumë besim te Rexha, pasi ka cilësi të mira dhe e njeh mirë portën. Po arriti të zhbllokohet, ai do të jetë një lojtar rezultativ. Ndërsa Hysa lëviz, por duhet të jetë më i shtruar në lojë. Me fjalë të tjera, ky ekip dhe kjo Vllazni ka problem me golin.
Po mbrojtja?
Nga mbrojtja nuk kam pritur më shumë. Për momentin nuk mund të jap ndonjë vlerësim pozitiv, pavarësisht se nga takimi në takim ka pasur një përmirësim të dukshëm. Ndërsa notën maksimale mund t’ia vë pa diskutim portierit. Ai është ndër më të mirët në kampionatin tonë. E nëse Vllaznia ka një pikë, merita është e tij. Ai do të jetë për mendimin tim edhe pika më e fortë e kësaj Vllaznie.
Çfarë do t’i sugjeronit teknikut Duro për të ndryshuar?
Për mendimin tim, loja e zhvilluar në dy takimet e para nuk është loja e Vllaznisë. E normalisht që nuk mund të jetë e tillë, pasi trajneri dhe 70-80% e skuadrës janë jo shkodranë. Ekipi kërkon shumë shpejt të dalë në sulm dhe të shfrytëzohet shtatlartësia e Rexhës. Për mendimin tim, duhet të qarkullohet më shumë topi. Vetëm kështu do jenë të rrezikshëm, e jo të shpresojnë te ndonjë gabim i kundërshtarit. Ky është sugjerimi im për Duron.
Dy takime në Shkodër, një short i favorshëm për Vllazninë?
Mendoj se po. Madje kjo është një mundësi e mirë që ekipi të rregullojë rezultatet që të ngrohin dhe pastaj të rregullojë gradualisht, duke ardhur në rritje, lojën e skuadrës. Kam përshtypjen se do të rikthehen. Në dy takimet e radhës kanë shansin që të marrin maksimumin e pikëve, pasi luajnë në shtëpi.
Si e shikoni të ardhmen?
Natyrisht që kam besim dhe të ardhmen e shikoj me shumë optimizëm. Mos të nisemi nga starti, por unë mund të them se kemi një trajner shumë të mirë dhe lojtarë cilësorë në këtë skuadër. Besoj se gjërat do të lëvizin pozitivisht dhe rezultatet pozitive do të ngrohin skuadrën në radhë të parë dhe sportdashësit, për të besuar te më e mira. Unë besoj se ky fillim jo i mirë do të kapërcehet shumë shpejt. Pastaj do të flasim ndryshe për këtë Vllazni.

Admir URUÇI